Deputetja e PDK-së thotë se raporti i prezantuar në PE është sulm i drejtpërdrejt ndaj Kosovës
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, duke iu referuar studimit të prezantuar në Parlamentin Evropian (PE) me temën “Identifikimi i lajmeve të rreme dhe dezinformimi në Ballkanin Perëndimor dhe identifikimi i mënyrave efektive për luftimin e tyre”, ka thënë se ky dokument ka për qellim diskreditimin e institucioneve demokratike të Kosovës.
Ajo ka thënë se raportet anuese në shërbim të një subjekti të caktuar politik, i cili ushtron politika konfliktuoze me të gjitha administratat amerikane dhe zbaton politikat e eksponentëve të caktuar evropian, duhet të shërbejë si alarm për vetëdijesimin e shoqërisë.
“Raporti i Parlamentit Evropian ka qëllim të diskreditimit të institucioneve demokratike të Kosovës dhe komprometimit të politikës amerikane në Kosovë dhe rajon duke konspiruar situata të paqena nëpërmjet metodës së njohur ruse të përhapjes së dezinformatave. Raportet anuese në shërbim të një subjekti të caktuar politik, i cili ushtron politika konfliktuoze me të gjitha administratat amerikane dhe zbaton politikat e eksponentëve të caktuar evropian, të cilët mbajnë qëndrim të hapur kundër pavarësisë së Kosovës dhe mbështesin politikat që mëtojnë zhbërjen e shtetësisë së Kosovës duhet të shërbejnë si alarm vetëdijesimi për gjithë shoqërinë. Raporti sulmon fondamentin e shtetësisë së Kosovës duke aluduar në paaftësinë tonë për të zgjedhur institucione demokratike, në mënyrë demokratike”, ka shkruar Deliu-Kodra në llogarinë e vet në “Facebook”.