Deputetja e Vetëvendosjes kërkon dorëheqjen e Haradinajt
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, në cilësinë e inicueses së interpelancës për kryeministrin Ramush Haradinaj në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar në institucionet dhe zyrtarët e lartë të shtetit ka kërkuar dorëheqjen e Haradinajt nga posti i shefit të Qeverisë.
Ajo ka thënë se Haradinaj nuk mund të ndalë presionet mbi institucionet e drejtësisë.
“Bëtë presion mbi Gjykatën Kushtetuese për shqyrtimin e vendimit për rritjen e pagave për zyrtarët e lartë publik, përfshirë edhe pagën tënde kryeministër, vendoset Njazi Thaçin në krye të KEK-ut, nuk shkarkuat ministrat Besim Beqaj dhe Pal Lekaj që kanë aktakuzë të ngritur, e sidomos vendimin që morët për t’ia paguar Bechtelit 53 milionë euro pa kërkuar fare përgjegjësi. Nuk kemi barëra esenciale dhe shumë qytetarë po jetojnë në varfëri ekstreme dhe nuk kemi as çerdhe të mjaftueshme për fëmijët e këtij vendi. Nëse nuk mund ta frenosh vetën dhe këtë Qeveri nga ndërhyrjet dhe çështjet që ju përkasin institucioneve të drejtësisë, vendimin me të mirë që mund ta marrësh për këtë vend dhe qytetarët e këtij vendi, është të dorëhiqesh kryeministër”, ka thënë Pacolli.