Nënkryetarja e Vetëvendosjes: Ligji për pagat është një mashtrim
Lëvizja Vetëvendosje nëpërmjet nënkryetares Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, ka mbajtur të mërkurën një konferencë për medie, në të cilën ka folur për grevën e punëtorëve të shëndetësisë.
Ajo ka thënë se prej më shumë se tri javësh, kirurgët në Qendrën Klinike Universitare po mbajnë një grevë me mbi 200 mjekë, të cilëve tani i është bashkangjitur edhe Ortopedia, Institutet Paraklinike dhe Spitali i Ferizajt.
Mulhaxha-Kollçaku ka theksuar se menjëherë pas formimit të saj, qeveria u sigurua që vendimin e parë të rëndësishëm të merrte atë për rritjen e pagave për veten e saj në një masë prej 100 për qind.
“Kjo qeveri e ka sjellë buxhetin e vitit 2019 pa e projektuar brenda tij zbatimin e ligjit për paga dhe ligji nëse miratohet është e pamundur të zbatohet brenda këtij vitit sepse nuk ka buxhet për të”, ka thënë ajo.
Mulhaxha-Kollçaku ka thënë se greva e personelit mjekësor po zhvillohet në një kohë kur po mbahen edhe grevat e minatorëve dhe ajo e punonjësve të arsimit. Sipas saj, punonjësit e sektorit publik janë thellësisht të pakënaqur me mënyrën se si po trajtohet shteti dhe punonjësit e tij nga qeveria aktuale.
“E kanë nxitur këtë ortek të pakënaqësisë. Krejt kjo që po ndodh është pasojë e një vendimi të njëanshëm për rritjen e pagave për veten”, ka thënë deputetja Mulhaxha-Kollçaku, duke shtuar se ashtu siç është i planifikuar, pa buxhetin përkatës, ligji për pagat është një mashtrim.
“Qeveria do të duhet t’i shpjegojë mjekëve dhe qytetarëve se prej ku do t’i marrë mjetet financiare për plotësimin e kërkesave të tyre, në një kohë kur nuk është vendosur një buxhet për to. Pa buxhetin përkatës, ky ligj do të mbetet një copë letre”, ka deklaruar Mulhaxha-Kollçaku.
/Epoka e re/
https://www.facebook.com/vetevendosje/videos/216187055871134/