Deputetja gjermane: Gjermania të bëjë më shumë presion për njohjen e Kosovës
Në një intervistë për “Deutsche Wellen”, deputetja gjermane liberale Renata Alt kërkon nga qeveria gjermane që të bëjë më shumë presion për njohjen e Kosovës. Ajo nuk e mbështet planin për ndryshimin e kufijve.
Deutsche Welle: Raundi i fundit i dialogut mes Serbisë dhe Kosovës në Bruksel u ndërpre, megjithëse më parë u duk sikur do të gjenin një zgjidhje të konfliktit. Si e komentoni ju këtë?
Renata Alt: Ndërprerja e papritur e bisedimeve tregon se në ç’gjendje të paqëndrueshme kishin filluar këto negociata. Nuk është e këshillueshme që në Ballkan të ketë ndryshime kufijsh mbi baza të pastra etnike. Është një lojë e rrezikshme që mund të ketë pasoja të paparashikueshme që nuk i merr dot me mend askush në këtë moment.
Çfarë keni parasysh?
Për shembull, Republika Srpska mund të kërkonte bashkim me Serbinë. Por unë mendoj se zhvendosja e kufijve nuk i zgjidh problemet nacionale. Në planin afatgjatë nuk do të duhej të kishte kufij dhe pakicat etnike duhet të gëzojnë kudo të njëjtat të drejta. Këtë e ka mbështetur gjithmonë edhe BE.
Ju jeni kundër ndryshimit të kufijve. Por kështu ndodhi edhe me Kosovën dhe me vende të tjera në rajon. Përse shkëputja e Republika Srpskës përbëka rrezik?
Sepse ndryshime të tilla mbështesin vetëm tendencat nacionaliste. Ky nuk mund të jetë objektivi ynë. Vendet e Ballkanit kanë një rëndësi të madhe gjeostrategjike ndërmjet Europës dhe Azisë, prandaj duhet të jetë në interesin tonë që këtu të kemi një rajon të sigurt dhe njëkohësisht kandidatët të mendojnë se nëse një ditë prej ditësh duan të hyjnë në BE, të plotësojnë kriteret e Kopenhagës. E kjo nuk po ndodh.
Si do ta vlerësonit rolin e qeverisë gjermane në rajon në dhjetëvjeçarin e fundit?
Gjermania i ka mbështetur gjithmonë zhvillimet mes dy vendeve. Edhe financiarisht, në kuadër të BE-së, në rajon kanë shkuar 9 milliardë euro në periudhën 2007-2017. Për vitin 2018 është parashikuar po aq. Prandaj ne duhet t’i mbështesim edhe më tej këto vende në transformimin e tyre në një sistem të mirëfilltë demokratik, në mbështetjen e shtetit të së drejtës dhe të të drejtave të njeriut. Qeveria gjermane duhet të apelojë edhe në të ardhmen për këtë dhe të ushtrojë ndikim te të gjithë anëtarët e BE-së që Kosova të njihet. Kjo për momentin nuk është ashtu, prandaj do të ishte mire që Gjermania të ushtrojë presion dhe të ndërmjetësojë që Kosova të njihet.