Deputetja Haxhiu: Kurti nuk e do postin e kryeministrit
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Teuta Haxhiu, e ka quajtur veprim joserioz video-mesazhin e liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, nëpërmjet të cilit ka ftuar LDK-në që t’i propozojë emrat e ministrave nga kjo parti.
Haxhiu në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se Kurti nuk i beson askujt, madje as bashkëpunëtorëve të vetë. Sipas saj, Kurti nuk e do postin e kryeministrit.
“Të gjithë po urojmë që qeveria e re të formohet sa më parë nga njeriu që doli i pari në zgjedhje, Albin Kurti i cili që nga 6 tetori i këtij viti sillet e flet si mbret, me gjuhën e një egoisti të papërmbajtshëm e të paparë deri më sot. Veçmas ndaj atyre që mëton t’i ketë partner qeverisës(LDK).
Video- xhirimet dhe publikimi i tyre si formë e ultimatumeve jo vetëm që janë fëminore por për më shumë janë joserioze dhe jokorrekte ndaj qytetarëve në radhë të parë e sidomos ndaj LDK- së. Pyetja është, se deri në ç’masë do të pranojnë këta të fundit, nënçmimin dhe përbuzjen e një njeriu, absolutisht të papërgatitur për bashkëpunim e bashkëqeverisje, në kushte krejt të barabarta(28:28, hiq Alternativën 1)”.
“Sepse ai nuk i beson askujt, as bashkëpunëtorëve shumëvjeçar e as vetës së tij. Ai kurrë nuk besoi as në Republikën e Kosovës. Tërbohet nga arritjet e të tjerëve. Shtetin e flamurin e nënçmoi maksimalisht kudo e në çdo kohë. Së këndejmi ai nuk beson në demokraci, prandaj duket se Kosova do të vuaj edhe më shumë, edhe për shumë kohë. Qytetarët do ta shohin këtë. Për këtë jam e sigurt, ashtu siç jam shumë e sigurt që Albin Kurti thellë brenda vetes së tij nuk e do këtë post në vitin 2020-të”, ka shkuar Haxhiu.
/Epoka e re/