Deputetja Hoxha i uron shërim të shpejtë të lënduarës nga shembja e kulmit të Komunës së Prishtinës, vazhdon kritikën ndaj udhëheqjes komunale
18 janar 2024| 23:01
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, i ka uruar shërim të shpejtë vajzës që mbeti e lënduar nga shembja e kulmit të Komunës së Prishtinës dhe e cila mbeti e lënduar seriozisht, për çka u shpreh se “më vjen keq për ty e të gjithë që jetojmë në një qytet të pasigurtë”.
Deputetja Hoxha e cila edhe gjatë ditës u shpreh mjaft kritike ndaj udhëheqësve komunalë të Prishtinës, shkroi se “ndërtesat janë pa pranime teknike e që rreziku nga kësi lloj ndërtimesh sot të ka prekur ty e nesër mund ta prekë këdo nga ne”.
“Dhe…shto këtu që ky është një nga ndërtimet me leje. Imagjino ato pa leje që me ligjin për legalizim veç me ca vizatime janë legalizuar…e përgjegjësia përtej ndërtuesve u mbetet edhe shumë kolegëve të mi arkitekt, fatkeqësisht. Shumë pikëllim!”, ka shkruar Hoxha.