Deputetja Hoxha kritikon qeverinë për mosfillimin e vitit të ri shkollor
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eliza Hoxha, ka kritikuar qeverinë Hoti për mosfillimin e vitit të ri shkollor.
Ajo ka thënë se qeveria ka pasur kohë gjatë gjithë verës që t’i bëjë përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor.
“Sot dita e parë e shkollës nuk u gëzua nga fëmijët… Me gjithë zotimet e qeverisë se do fillojë mësimi në kohë, fillimi i mësimit sërish është shtyrë me arsyetimin e përgatitjeve të shkollave për skenarët e propozuar dhe çështjet higjienike pandemike”.
“E kuptueshme, por a nuk kishte qeveria kohë gjatë gjithë verës për këtë? Në anën tjetër higjiena nëpër shkolla duhet të jetë shumë e lartë e që në fakt sjellë në pah çështjen e menaxhimit të institucioneve publike në përgjithësi e që pandemia e solli në agjendë primare kulturën tonë higjienike si shoqëri në sferën publike si dhe përgjegjësinë tonë karshi publikes”.
“Uroj që ky moment me gjithë vështirësitë që ka sjellë pandemia të shfrytëzohet për reflektim dhe veprim pozitiv për përmirësimin e cilësisë së arsimit si shtyllë kryesore e një shteti të shëndoshë e me të ardhme”, ka shkruar Hoxha në llogarinë e vet në “Facebook”.