Deputetja Izmaku pjesë e anketës së Bankës Botërore
Grupi Global i Angazhimit Parlamentar të Bankës Botërore bëri një studim të grave deputete nga mbarë bota për nder të Ditës Ndërkombëtare të Gruas më 8 mars.
Pjesëmarrëseve iu kërkua të tregonin përvojat dhe perspektivat e tyre duke ndarë arritjet e tyre më të spikatura si një ligjvënëse femër dhe çfarë përmirësimesh mund të bëhen për gratë në parlament.
“Ky është mandati im i tretë dhe nuk është e lehtë të jesh deputete në një vend që është vetëm 11 vjeç. Pas luftës, politika filloi të dukej si një fushë beteje për burrat dhe nuk ishte e lehtë për të marrë vota si një grua në një mjedis të tillë.
Gjatë mandatit tim të parë, unë sigurova ujë të pijshëm për qytetin tim pasi e ftova kryeministrin që t’i shihte vetë vuajtjet e grave që çdo ditë mbanin kova të rënda me ujë deri në shtëpitë e tyre, ndonjëherë në distanca të gjata dhe disa në kate të larta pa ashensorë. Sot ndihem krenare që ky projekt u realizua”.
“Jam krenare që pavarësisht dallimeve tona politike për shumë çështje, Parlamenti i Kosovës gjithmonë ka njëzëshmëri kur është fjala për t’u ballafaquar me sfidat që prekin gratë në përgjithësi dhe posaçërisht gratë në politikë. Deputetet udhëheqin shumicën e sektorëve dhe departamenteve ku përfshihen çështje gjinore dhe sociale. Ato kanë një ndjeshmëri më të madhe ndaj këtyre çështjeve dhe janë më pak të korruptuara”, ka shkruar në llogarinë e vet në “Facebook” deputetja e Kuvendit të Kosovës, Xhevahire Izmaku.
Ajo ka shtuar se: “Do të doja të shihja rritje në përgjegjësi dhe fuqi për vendim-marrje për gratë, në mënyrë që Kuvendi dhe Qeveria të mos shihen si një kabinet i burrave ku gratë janë vetëm kuorum”, ka thënë deputetja Izmaku.
Po ashtu pjesë e anketës ishin Kirsten van den Hul, deputete në Parlamentin e Holandës dhe Olfa Soukri Cherif, deputete në Parlementin e Tunizisë.