Deputetja Jeta Statovci kritikon mbylljen e rrugës ‘George Bush’: Plani i Kryetarit, projekti më i gabuar për Prishtinën
Deputetja e Guxo, Jeta Statovci, ka kundërshtuar mbylljen e rrugës “George Bush” në kryeqytet, derisa ka thënë se shkoi gjysmë mandati i kryetarit, ndërsa që qytetarët e Prishtinës mbesin ende me vizatime 3D e shumë probleme, raporton Gazeta Blic.
Ajo përmes një postimi në Facebook, ka thënë se do të ishte më mirë po të prezantoheshin rrugë nëntokësore të makinave që siguron kyçje të rrugës “Luan Haradinaj” me atë “Garibaldi e më tutje me rrugën “George Bush”.
Deputetja ka shtuar se kryetari duhet të reflektojë e të mos e bllokojë qytetin me projekte pa rend, pa analizë e të dëmshme për secilin njeri që përdorë komunikacionin në Prishtinë.
Postimi i saj i plotë:
ZGJIDHJE PËR KOMUNIKACIONIN FILLIMISHT, PASTAJ SHESHET.
Gjysme mandati shkoi, por qytetari i Prishtines mbetet ende me vizatime 3D, e me probleme më shumë.
Plani i kryetarit aktual të Prishtinës që e shpalosi, është projekti më i gabuar i mundshëm sepse ai, do të nënkuptonte paralizën totale të trafikut në Prishtinë dhe poashtu qindra miliona të humbura kot të buxhetit. Rruga “George Bush” ka qenë një minimum frymëmarrje për komunikacionin, arterie bazike, meqë nuk duhet harruar, se Prishtina është e koncentruar shumë në këtë zonë, si me institucione, me qendra kulturore e arti, me biznese, banim etj.
Do të ishte me interes të prezantoheshin para qytetareve rrugë nëntokësore të makinave që siguron kyçje të rrugës “Luan Haradinaj” me atë “Garibaldi e më tutje me rrugën “George Bush”.
Vetëm pasi të ishin realizuar këto investime nëntokësore në zhbllokimin e trafikut, do të mund të mendohej për kthimin e asaj pjese në shesh të zgjatur.
Sot, qytetaret të shqetësuar biseduan për veshtirësitë e shtuara sëfundmi. Bizneset po mbyllen në atë pjesë, bllokim i mobilitetit në qytet pa rruge të reja, kyçje te reja, apo alternativa te trafikut urban.
Kryetari duhet të reflektojë e të mos e bllokoj qytetin me projekte pa rend, pa analizë e të dëmshme për secilin njeri që përdorë komunikacionin në Prishtinë. E këta të fundit, janë shumë!