Deputetja Kica-Xhelili: Sfida më e madhe e jetës sime, diagnoza e gabuar për vajzën time në QKUK
Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, është sërish në garë për një mandat të ri në organin legjislativ.
Ndonëse mandatin e kaluar e fitoi si pjesë e listës së përbashkët, LVV-GUXO-Alternativa, tanimë Kica-Xhelili është pjesë e listës së LDK-së.
Në një intervistë për fundvit në klankosova.tv, ajo ka ndarë rrethana të panjohura të rrugëtimit të saj profesional dhe personal gjatë vitit që lamë pas.
Ndër të tjera, ajo ka treguar edhe sfidën që ajo e konsideron më të madhen e vitit që sapo lamë pas, por edhe të tërë jetës së saj.
E ajo është vajza e saj, e cila thotë të jetë diagnostikuar gabimisht nga mjekët në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
“Ky vit ka qenë sfidues përgjithësisht. Sidoqoftë, përtej çdo vështirësie që sjell puna ime, periudha më e vështirë është ballafaqimi me një diagnozë të gabuar mjekësore të vajzës time, në QKUK. Ishte muaji më sfidues i jetës time”, deklaroi Kica-Xhelili në këtë intervistë.
Për fat të mirë, kandidatja për deputete tregoi se rasti i vajzës së saj të vogël kaloi pozitivisht.
“Fatmirësisht, me mbështetje të pakusht nga familja dhe disa kontrolla shtesë jashtë vendit, përfundoi me lajme pozitive. Sidoqoftë, reflektimi i mëpastajmë për çdo prind që ballafaqohet me gjendje shëndetësore të fëmijës, është tjetër botë”, potencoi ajo.
Po ashtu, Doarsa Kica-Xhelili tregoi se rastin e ka adresuar edhe në institucionet përkatëse.