Deputetja Musliu kërkon shkarkimin e zëvendësministres serbe në Qeverinë e Kosovës
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka kërkuar nga kryeministri Ramush Haradinaj që ta shkarkojë Vesna Mikiq nga pozita e zëvendësministres së Drejtësisë nga Lista Serbe, për shkak të një statusi në llogarinë e vet në “Facebook” në lidhje me intervenimin e NATO-s në Kosovë.
“Kryeministër Haradinaj, shkarkoje menjëherë! Boll më kemi toleruar, por jo deri në pafundësi. Ndyrësirat si kjo nuk i shërbejnë as serbëve të Kosovës. Le të shkoj të jetojë në ‘shtetin e saj sovran’” , ka shkruar Musliu në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ndryshe, Vesna Mikiq e ka akuzuar NATO-në për intervenimin në Kosovë në vitin 1999.
“Në ditën e sotme, para 20 vjetësh ndaj një shteti sovran që një dekadë më herët luftoi kundër terrorizmit shqiptar në kuadër të kufijve të saj, është bërë qëllimisht gjenocid i planifikuar nga NATO”, ka shkruar Vesna Mikiq në llogarinë e vet në “Facebook”.