Deputetja Musliu me bashkëpunëtorë përkujtojnë pesë vëllezërit Hetemi
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, së bashku me bashkëpunëtorë, kanë përkujtuar pesë vëllezërit Hetemi nga Klina e Mesme e Skenderajt, të cilët janë ekzekutuar nga forcat serbe në prani të familjarëve të tyre, 20 vjet me parë.
“Me kryetarin e Rinisë Demokratike, Alban Berisha, asamblistë dhe bashkëpunëtorë të PDK-së, përkujtuam 5 vëllezërit Hetemi nga Klina e Mesme në Skenderaj në 20 -vjetorin e rënies për liri! Gjithmonë me dyer e zemra të hapura, mikpritës për të gjithë për ata që kërkonin ndihmë. Me gjithë rrezikun permanent përballë forcave kriminale serbe me guxim e vendosmëri ushqyen qindra ushtarë të UÇK-së dhe u betuan mos ta lëshojnë pragun e shtëpisë”. “15.04.1999 kriminelët serbë i’a mësyjnë shtëpive të familjes Hetemi dhe në mënyrën më mizore i vranë pesë vëllezërit Hetemi në oborrin e shtëpisë në prani të familjarëve. Atë ditë makabre u pushkatuan: Sadik Hetemi, Muharrem Hetemi, Hetem Hetemi, Halit Hetemi dhe Vesel Hetemi. Ata me veprat e tyre lanë gjurmë të pashlyshme në historinë e Drenicës, andaj edhe kujtimi dhe përkujtimi për ta është freskët dhe i pavdekshëm. I lehtë u qoftë dheu i Kosovës. Lavdi”, ka shkruar Musliu në llogarinë e vet në “Facebook”.