Deputetja Musliu-Shoshi, nga Strasburgu: Kosova ka shpenzuar 20 vjet në ndërtimin e institucioneve demokratike
Një delegacion i Republikës së Kosovës, nën drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, është duke qëndruar në Strasburg të Francës, për të avokuar për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Në delegacion, përveç Konjufcës, janë dhe nënkryetarja Saranda Bogujevci, deputetët Arben Gashi, Enis Kervan, Ariana Musliu-Shoshi dhe Besnik Tahiri, si dhe zëvendësministri për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Kreshnik Ahmeti.
Në mes të takimeve kyçe që delegacioni ka marrë pjesë ishte diskutimi në Komitetin e Çështjeve Politike dhe Demokracisë.
Në takim u diskutuan çështje të rëndësishme që afirmojnë të arriturat e Kosovës në vitet e fundit dhe adresojnë rekomandimet nga raporti i Juristëve Eminentë.
Deputetja Musliu-Shoshi ka thënë se raporte të tilla janë dëshmia më e mirë në punën që Kosova ka bërë ndër vite, për shtet-ndërtim.
“Raportet e tilla janë dëshmia më e mirë që Kosova ka shpenzuar 20 vjet në ndërtimin e institucioneve demokratike me standardet më të larta evropiane, duke kontribuar gjithmonë që një ditë të jetë pjesë e institucioneve të Bashkimit Evropian” ka thënë Musliu-Shoshi.