Deputetja ukrainase kërkon që shteti i saj ta njohë Kosovën

28 shkurt 2022 | 12:58

Një politikane ukrainase, në kohën kur vendi i saj është në luftë, ka parë dhe e ka vlerësuar përkrahjen që Kosova po ia jep Ukrainës, e cila as nuk ia ka njohur pavarësinë. Duke cituar Vlora Çitakun, deputetja ukrainase ka thënë se në momentet më të vështira të Ukrainës është parë se kush ishin miqtë e saj, ndërsa ka përmendur rreshtimin e Serbisë krah Rusisë.

Ish-ministrja ukrainase, Iryna Friz, ka kërkuar nga shteti i saj ta njohë pavarësinë e Kosovës, pas qëndrimit që kjo mbajti krah Ukrainës.

“Ne duhet t’u bashkëngjiteni partnerëve perëndimorë që tashmë e kanë njohur Kosovë dhe ta njohim edhe ne. Është koha të qëndrojmë me miq, jo të luajmë me armiq. Shtetet që janë betuar për miqësi me shtetin tonë, zgjodhën ta përkrahin okupatorin”, ka shkruar Friz në llogarinë e vet në “Facebook”.

Deputetja ukrainase ka thënë se shteti serb që nga viti 2014 është duke dërguar qytetarët e saj për luftim në zonën e Donbasit.

“Sot Beogradi është i vetmi vend që nuk i ka përkrahur sanksionet ndaj Rusisë. Por, një popull i tërë, që u bë viktime e gjenocidit serb gjatë viteve të 90-ta, kosovarë, po e përkrahin sot Rusinë”, ka shkruar ajo.

Më tutje, ajo ka cituar disa postime të ish-diplomates kosovare, Vlora Çitakut,  që tash është nënkryetare e PDK-së.

Çitaku ka shkruar se “askush nuk e do luftën. Si e mbijetuar e luftës, e di këtë. Por, ndonjëherë të luftosh është mënyra e vetme se si mund ta ruash lirinë dhe dinjitetin. Zemra ime është me të gjitha gratë dhe burrat ukrainas, që janë duke luftuar tani” .

Në fund, duke e falënderuar Kosovën për përkrahje, Friz ka shkruar se “miqtë e vërtetë nuk janë ata që të thërrasin ‘vëlla’, e të sulmojnë natën. Miqtë e vërtetë janë ata që të përkrahin në momentet më të errëta të historisë”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka…