Derbi i Anamoravës përfundon pa gola në “Fadil Vokrri”
Ka përfunduar pa gola ndeshja mes Gjilanit dhe Dritës që u zhvillua në “Fadil Vokrri”, e vlefshme për xhiron e 26 në Ipko Superligën e Kosovës.
Gjilani dhe Drita kanë ndarë pikët në xhiron e 26 të Ipko Superligës së Kosovës, duke barazuar 0-0 në ndeshjen që u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri”, shkruan Gazeta Express.
Derbi nuk solli gola, por kartonë të kuq – nga një për secilën skuadër.
Fillimisht Nika i Gjilanit u ndëshkua me të kuq në minutën e 17’, pas disa shtyrjeve me Liridon Lecin.
Nika u largua i zemëruar nga fusha drejt dhomave të zhveshjes, duke mos u pajtuar me vendimin e gjyqtarit.
Madje, ai u pa duke i thënë gjyqtarit kryesor se u provokua dhe u shkel nga Liridon Leci.
Para se skuadrat të shkojnë në pushim të pjesës së parë, në minutën e 45’, edhe Drita mbeti me një lojtar më pak në fushë, pasi Neziraj u përjashtua me të kuq.
Kapiteni, Limani, për disa sekonda nuk e lejoi gjyqtarin ta ndëshkojë me të kuq, duke mos u pajtuar me vendimin, që tashmë ishte marrë dhe s’kishte shpëtim.
Në pjesën e dytë, me nga 10 lojtarë në fushë, dy skuadrat u munduan që të gjejnë golin e tri pikëve.
Por, pavarësisht tentimeve të shumta, nuk arritën të gjejnë rrjetat, duke u mbyllur kështu sfida me rezultatin që edhe filloi, 0-0.
Pas këtij barazimi, Drita vazhdon të mbetet në pozitën e 4 me 45 pikë, kurse Gjilani në atë të 7 me 35 pikë.