Derbi i rivalëve të vjetër
Mesjava sjell super përballje në ProCredit Superligën e Kosovës në basketboll, ku zhvillohet xhiroja e 18-të.
Të mërkurën do të përballen Bashkimi me Borën, në një sfidë të rëndësishme. Prizrenasit kanë 12 fitore e pesë humbje, ndërsa e kundërta është me prishtinasit që kanë pesë fitore e 12 humbje.
Sfidë mjaft interesante është po ashtu të mërkurën ndërmjet dy skuadrave verdhezi, ish-kampionëve të Kosovës, Pejës dhe Golden Eagle Yllit. Pejanët kanë dhjetë fitore e shtatë humbje, derisa e kundërta me therandasit me shtatë fitore e dhjetë humbje.
Të enjten zhvillohet kryendeshja e kësaj jave mes rivalëve të vjetër në basketbollin e Kosovës, Trepçës dhe Sigal Prishtinës. Takimet mes këtyre dy skuadrave gjithmonë kanë qenë interesante dhe kështu pritet edhe të enjten mbrëma në “Minatori”. “Xehetarët” kanë 12 fitore e pesë humbje, ndërsa prishtinasit nëntë fitore e tetë humbje. Këto dy skuadra u përballën mesjavën e kaluar për Kupë, ku bardhekaltrit fituan 67:65 në gjysmëfinale, derisa sfida e kthimit do të zhvillohet mesjavën e ardhshme, ku do të vendoset se kush do të kualifikohet në finale.
Vëllaznimi në top formë do të ndeshet me Proton Cable Prizrenin. Kuqezinjtë kanë nëntë fitore e tetë humbje, derisa prizrenasit janë në vendin e tetë me katër fitore e 13 humbje.
ProCredit Superliga – Java 18
Të mërkurën takohen:
18:30 Bashkimi – Bora
18:30 Peja – Golden Eagle Ylli
Të enjten takohen:
18:30 Trepça – Sigal Prishtina
18:30 Vëllaznimi – Proton Cable Prizreni