Derbi i takoi Besës
Dy ndeshje të javës së 27-të të Superligës A për hendbollistë u zhvilluan të dielen.
Në kryeqytet, kampioni dhe lideri, Besa Famgas ka fituar ndaj Prishtinës me rezultatin 32:25. Me këtë fitore Besa e Pejës e ka konfirmuar vendin e parë në tabelë për plejof. Një xhiro para fundit Besa udhëheq me 50 pikë. Kastrioti është i dyti me 47 pikë e Prishtina e treta me 39 pikë.
Drilon Tahirukaj me 12 gola ishte më efikasi te Besa Famgas. Te Prishtina më efikasi ishte Lindrit Fetahu me 9 gola.
Ndeshja tjetër është luajtur në Gjakovë, kur Vëllaznimi e Vushtrria barazuan me rezultatin 28:28. Ndeshja ishte e fortë dhe dramatike, ndërsa vushtrriasit golin e barazimit e shënuan në minutën e fundit. Vëllaznimi mbetet i katërti me 22 pikë, ndërsa Vushtrria është e pesta me 21 pikë. Drita ka rënë në vend të gjashtë me 20 pikë. Vendi i katërt dërgon në plejof dhe për këtë pozitë do të vendoset në xhiron e fundit.