Derbi përfundoi pa fitues
Sezoni vjeshtor është mbyllur me dy ndeshjet e mbetura nga xhirot e mëhershme në mes të Prishtinës dhe Dritës dhe Ballkanit dhe Gjilanit. Prishtina luajti baras me skuadrën lidere, Dritën (1-1), ndërsa Gjilani e deklasoi Ballkanin 0-4.
Prishtinë, 20 dhjetor – Derbi në mes të Prishtinës dhe Dritës në elitën e futbollit të Kosovës përfundoi 1-1. Ndeshja e zhvilluar të dielën në stadiumin “Fadil Vokrri” ishte mjaft interesante dhe me disa raste shënimi, kurse dy golat janë shënuar nga penalltia.
Trajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani, ka thënë se fitorja në derbi është dashur t’i takojë skuadrës kryeqytetase. “Gjithmonë kur nuk arrijmë fitoren, fajin e shohim te vetja. Kur nuk realizon, atëherë është normale të ndëshkohesh. Kishim kontrollin e topit dhe rezultatin, por në pjesën e dytë është dashur më mirë ta menaxhojmë lojën. Drita e mori atë për çka kishte ardhur. Përgëzoj futbollistët e Prishtinës për angazhimin, ndonëse është dashur ta fitojmë këtë ndeshje ku patëm shumë raste të humbura”, ka thënë pas ndeshjes Ramadani.
Prishtina ishte e para që rrezikoi portën e kundërshtarit në minutën e shtatë, por gjuajtjen e Otto John e ndali portieri Rexhepi. Shtatë minuta më vonë, Rexha provon të godasë, por gjuajtja e tij bllokohet nga Tun Bardhoku. Në minutën e 17 Otto John del edhe një herë në skenë, por edhe kësaj radhe shpëtimtar i mysafirëve ishte portieri. Një rast të mirë për vendësit pati edhe Dellova, por gjuajtja e tij përfundoi jashtë portës. Në minutën e 38 Endrit Krasniqi ndalet nga Arago dhe gjyqtari kryesor akordoi penallti. Nga pika e bardhë i pagabueshëm ishte Besnik Krasniqi që realizoi për 1-0.
Otto John pati edhe një rast të mirë shënimi në minutën e 78, por edhe kësaj radhe në vend ishte Rexhepi. Shtatë minuta pa përfunduar ndeshja, Dellova luajti me dorë në zonën e rreptësisë dhe gjyqtari kryesor për herë të dytë në ndeshje akordon penallti, kësaj radhe për skuadrën mysafire. Nga pika e bardhë i pagabueshëm ishte Fidan Gërbeshi që realizoi për 1-1. Në minutat shtesë Blakçori përjashtohet nga ndeshja për shkak të dy kartonëve të verdhë. Ndeshja përfundoi me rezultat 1-1.
Pas ndeshjes, trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, ka deklaruar: “Në përgjithësi mendoj se ishte një ndeshje e hapur, një derbi i vërtetë. Të dyja ekipet kërkuan fitoren. Prishtina kishte raste më të pastra, por portieri na mbajti në lojë. Pjesa e dytë na takoi neve dhe erdhëm edhe te goli. Dua t’i falënderoj futbollistët për një sezon shumë të mirë, përkundër orarit të ngjeshur. Kemi bërë një gjysmësezon të jashtëzakonshëm dhe kemi pasur paraqitje shumë të mira në përgjithësi. Nuk diskutohet se jam i kënaqur me pozitën e parë, duke pasur parasysh kohën e pandemisë dhe situatën që ka mbretëruar. Sigurisht se do ta mbajmë ekipin aktual, por mbetet të shihet nëse do të ketë ndonjë ndryshim”.
Pas kësaj ndeshje, Prishtina është e treta në tabelë me 32 pikë, ndërsa Drita zë vendin e parë me 41 pikë.
Ndërsa të shtunën në Suharekë është zhvilluar ndeshja e mbetur e javës së 12-të në Superligë ndërmjet Ballkanit dhe Gjilanit. Fitores në këtë takim iu gëzua skuadra mysafire Gjilani (0-4). Futbollisti Ardit Hila ishte lojtari kryesor, pasi në këtë ndeshje realizoi tre gola për skuadrën e drejtuar nga Bylbyl Sokoli, kurse me një gol kontribuoi Darko Nikaq. Pas kësaj fitoreje, Gjilani ka 29 pikë dhe zë pozitën e katërt në elitë, derisa Ballkani mbetet në pozitën e dytë, me 38 pikë.
(Epoka e re)