Derek Chollet takon përfaqësuesit e Listës Serbe

11 janar 2023 | 19:23

Këshilltari i lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani, të mërkurën ka takuar edhe përfaqësuesit e Listës Serbe – forca më e madhe politike e serbëve të Kosovës.

“Përfaqësuesit e Listës Serbe janë takuar me këshilltarin e Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, ambasadorin për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar dhe ambasadorin Jeffrey Hovenier për situatën aktuale politike dhe të sigurisë”, thuhet në njoftimin e Listës Serbe.

Ndryshe, nënsekretari amerikan, do të takohet edhe me liderët e partive opozitare në vend – Memli Krasniqin nga Partia Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhikun nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Ramush Haradinajn nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Kujtojmë se Lista Serbe është larguar nga institucionet qendrore të Kosovës, si dhe nga komunat në pjesën verore të vendit me shumicë serbe, si shenjë revolte pas suspendimit të drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriç.

Pas vendimit – të marrë në një takim me dyer të mbyllura në Zveçan – dorëheqje kanë dhënë edhe pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës, ata të gjyqësorit dhe prokurorisë në veri.

Ata nuk do të kthehen në vendet e tyre të punës deri në momentin kur autoritetet kosovare do të fillojnë zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar në vitin 2013 për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot në ndërtesën e Qeverisë,…