Dërgimi i vendimit për Dakën në Kushtetuese ende pezull, partitë opozitare të ndara për këtë çështje
Partitë opozitare në Kosovë kanë qenë kundër vendimit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani për shkarkim të Valdete Dakës nga pozita e kryesueses së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, e megjithëse thonë se vendimi ishte anti-kushtetues ende askush nuk e ka dërguar këtë vendim në Gjykatë Kushtetuese ashtu siç pritej.
Lidhja Demokratike e Kosovës nuk po i jep nënshkrimet për dërgimin e këtij vendimi në Kushtetuese, duke thënë se një gjë e tillë i takon Avokatit të Popullit.
Partia Demokratike e Kosovës në mbledhjen e nënshkrimeve deri më tani ka gjetur mbështetje vetëm tek Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndërkaq nuk kanë arritur ende të mbledhin mjaftueshëm nënshkrime që kjo çështje të vlerësohet nga Kushtetuesja.
Shkëmb Manaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë se vlerësojnë se me dërgimin e vendimit të Presidentes në Kushtetuese është më mirë të merret Avokati i Popullit.
Manaj u shpreh se “Ne vlerësojmë që është mirë që kjo çështje të ngritët nga Avokati i Popullit e jo nga partitë opozitare që të mos bëhet luftë pozitë-opozitë për postin e kryesuesit të KQZ-së”.
“Qëllimi është që të mos ketë presion publik te Gjykata Kushtetuese e Kosovës, që Gjykata Kushtetuese të mos e trajtojë këtë çështje të pozitës dhe opozitës, është në kompetencë të Avokatit të Popullit. Ne presim që Avokati i Popullit ta kryej detyrën e vet dhe ta dorëzoj ankesën në Gjykatë Kushtetuese. Kërkesa është, po presim reagimin e Avokatit të Popullit, kërkesa ka qenë publike. ”, Manaj.
Telegrafi ka provuar të marrë një deklaratë nga Zyra e Avokatit të Popullit në lidhje me këtë çështje, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje.
Telegrafi ka provuar të marrë një deklaratë nga Zyra e Avokatit të Popullit në lidhje me këtë çështje, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje.
Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës ka filluar të mbledh nënshkrimet për të dërguar këtë vendim në Gjykatën Kushtetuese.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra ka konfirmuar se mbledhja e nënshkrimeve ka filluar, teksa nuk bëri të ditur se sa nënshkrime janë mbledhur deri tani.
Ndërkohë, në Lëvizjen Vetëvendosje theksojnë se veprimi i presidentes Osmani ka qenë në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe normat ligjore.
U.D e shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se vendimi i presidentes Osmani ka qenë në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe normat ligjore.
“Çdo gjë është në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe normat ligjore. Secili është i lirë të dërgojë organeve tjera për interpretim të vendimeve të instancave të ndryshme”, tha ajo pas njërës nga mbledhjet e kryesisë së Kuvendit. /Telegrafi/