Dërgohet në Kuvend Projektligji për Inspektoratin e Arsimit
Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi në mbledhjen e së martës e ka dërguar në Kuvendin e Kosovës Projektligjin për Inspektoratin e Arsimit.
Pas shqyrtimit të këtij projektligji, komision ka vendosur që Inspektorati i Arsimit t’i raportojë ministrit dhe Kuvendit të Kosovës, dhe jo sekretarit të përgjithshëm të MAShT-it.
Po ashtu, është vendosur që zgjedhja e inspektorëve të bëhet edhe nga Kuvendi apo Qeveria, dhe jo vetëm nga MAShT-i.
Kryetari i këtij komisioni, Ismajl Kurteshi, në fillim ka paraqitur disa dilema që kanë hasur në këtë projektligj, ku ka kërkuar sqarimin e tyre nga drejtori i Inspektoratit të Arsimit, Dëfrim Gashi.
Deputeti i PDK-së, Nezir Çoçaj, ka propozuar që Inspektorati i Arsimit të mos mbetet në kuadër të MAShT-it por të bëhet agjenci, pasi sipas tij ky mekanizëm duhet të jetë i pavarur nga politika.
Por i të njëjtit mendim nuk ishte drejtori i Inspektoratit të Arsimit, Dëfrim Gashi, i cili ka thënë se ky mekanizëm duhet të mbetet brenda MAShT-it, pasi sipas tij është shtylla kryesore e kësaj ministrie.
“Mendoj se Inspektorati nuk duhet të largohet nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, pasi është njëra ndër shtyllat kryesore të kësaj ministrie. Ministri duhet të jetë i informuar për gjendjen e arsimit dhe duhet të ketë informacione”, ka thënë Gashi,
Nënkryetarja e Komisionit për Arsim, Müfera Srbica-Sinik, ka kërkuar që në ligj të shtohet se inspektorët duhet të flasin edhe gjuhën e komuniteteve.
Arbisa SHEFKIU