Dërgohet në Kuvend projektligji për mësimdhënësit e viteve ’90-ta
Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi ka dërguar në Kuvendin e Kosovës për lexim të parë Projektligjin për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99.
Me këtë rast, zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Heset Sahiti, ka thënë se ky dokument nuk do të zbatohet tek punonjësit që marrin ndonjë beneficion të ndonjë kategorie tjetër.
“Projektligji ka të bëjë me njohjen dhe përcaktimin e të drejtave të beneficioneve të punëtorëve të arsimit shqip që punuam në vitin shkollor 90/91 dhe 98/99. Fushëveprimi i projektligjit është përcaktimi i caktuar për përkrahje financiare për të punësuarit në sektoriate, këshilla komunale të financimit, ente komunale, entin për botimin e teksteve, punëtorët shkencorë, pronarët e shkollave, etj. Ky ligj nuk zbatohet me gjithë punonjësit që marrin ndonjë beneficion të ndonjë kategorie tjetër dhe që kanë kontribuar në këtë periudhë nëse janë financuar nga jashtë e jo nga Kosova”, ka thënë Sahiti.
Kurse drejtori i Departamentit të Arsimit Paraunveristar, Alush Istogu, ka thënë se beneficionet do të jenë të ndara në dy grupe.
“Grupi i parë janë mësimdhënësit që kanë punuar prej 5 deri në 10 vite dhe grupi i dytë prej 1 deri në 5 vite. Grupi i parë do të marr 75 për qind të pagës kurse grupi i dytë 28 për qind”, ka thënë ai.
Më tutje, nënkryetarja e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, Teuta Haxhiu, ka thënë se ky projektligj nuk duhet të bëhet vetëm për mirënjohje të kësaj kategorie.
“E kemi pritur gjatë këtë projektligj. Këta mësimdhënës nuk kanë nevojë për mirënjohje në letra sepse ata e kanë marrë sa kanë qenë në atë periudhë. Ne duhet të punojmë qe të bëhet një ligj i zbatueshëm për ta, t’ju paguhet dinjiteti në aspektin financiar”, ka thënë Haxhiu.
Valentina Bunjaku-Rexhepi nga LDK-ja, ka bërë thirrje që të analizohen saktë përfituesit e këtyre beneficioneve në mënyrë që , sipas saj, kjo çështje mos të politizohet dhe mos të fryhen listat, raporton Epoka e re.
“Duhet të shikojmë se kush janë ata përfitues, të analizohen mirë që mos të fryhen listat dhe mos të politizohet kjo çështje”, ka thënë ajo.
Të njëjtin mendim ka ndarë edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adem Mikullovci. Ai ka thënë se këto lista mund të fryhen si listat e veteranëve të UÇK-së.
“Kam frikë që këto lista do të fryhen si listat e veteranëve duhet të kemi shumë kujdes në këtë aspekt dhe te analizohen mirë”, ka thënë Mikullovci.
Krejt në fund Nezir Çoçaj nga PDK-ja, ka thënë se kjo kategori ka dhënë shumë për shtetin e Kosovës.
“Kjo kategori ka dhënë kontributin e tyre për shtetin tonë. Nuk e kanë pasur lehtë sepse shpeshherë kanë qenë të sulmuar fizikisht dhe ky ligj është si një lloj mirënjohje dhe mbështetje morale për ta”, ka thënë Çoçaj.
/Epoka e re/ Arbisa Shefkiu