Dërguti thotë se Kurti është tërhequr për dinarin: Një hap para, tre mbrapa
Ish-nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Dërguti, deklaratën e mbrëmshme të kryeministrit Albin Kurti për çështjen e dinarit serb e ka vlerësuar si tërheqje.
Ajo e ka quajtur kryeministrin Kurti si “luan cirkus” të diplomacisë.
“Një hap para, tre hapa mbrapa. Luani i cirkus diplomacisë”, ka shkruar Dërguti në “Facebook”.
Mbrëmë, kryeministri Kurti ka lëshuar një deklaratë që ka lënë të nënkuptohet se kanë lëshuar pe për çështjen e dinarit.
“Ne e kuptojmë se mënyra se si kjo çështje është komunikuar mund të ishte më e qartë, për të shmangur konfuzion. Megjithëse rregullorja hyri në fuqi më 1 shkurt, e kuptojmë se një periudhë tranzicionin është e nevojshme. Gjatë këtij muaji, do të sigurohemi që të japim të gjitha informacionet dhe të gjithë ndihmën e nevojshme që ky tranzicion të jetë sa më i lehtë që të jetë e mundur. Tash e tutje, zotohemi po ashtu që të promovojmë fushata të komunikimit që adresojnë këto çështje me ndjeshmërinë që e meritojnë”, ka thënë Kurti.