Deri i takon Pejës

08 mars 2020 | 20:17

KB Peja ka mundur Rahovecin me rezultat 89:70 (24:15, 21:20, 23:19, 21:16), në derbin e javës së 27-të në Superligën e Kosovës në basketboll.

Peja e nisi ndeshjen më mirë, por me kalimin e minutave Rahoveci tregon se nuk ka udhëtuar për tu dorëzuar dhe afron shifrat në 14:13. Megjithatë, pejanët kërkojnë një minutë pushim dhe më pas hyjnë në një seri 10:2, duke fituar çerekun e parë 24:15. Në periodën e dytë, zhvillohet një lojë më e baraspeshuar (21:20) dhe me një tre pikësh nga Dardan Berisha, pjesa e parë mbyllet me shifrat 45:35. Edhe perioda e tretë ishte mjaft interesante në një atmosferë të bukur e me shumë tifozët. Për një nuancë edhe në këtë pjesë, vendasit ishin më të mirë (23:19), derisa rezultati në semafor pas 30 minutash tregonte shifrat 68:54. Në 10 minutat e fundit nuk kishte shumë ndryshime dhe Peja triumfoi 89:70.

Te Peja u dalluan Dardan Berisha me 27 pikë, katër kërcime e gjashtë asistime dhe Henrik Sirko me 20 pikë, tetë kërcime dhe gjashtë asistime, kurse te Vreshtarët më i miri ishte Darell Davis me 24 pikë e tetë kërcime.

Peja tani ka 15 fitore dhe nëntë humbje, kurse Rahoveci 17 fitore dhe shtatë humbje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Manchester United ka arritur një fitore spektakolare në derbin ndaj…