Deri më sot në Kosovë janë larguar mbi 95 000 mina dhe mjete eksplozive të pashpërthyera
Teksa sot shënohet Dita Botërore e Mjedisit, duhet theksuar faktin se që nga viti 1999 me përkushtimin e deminerëve tanë të guximshëm, në bashkëpunim me ekipet e KFOR-it dhe organizatat e tjera të involvuara janë pastruar mbi 60 milionë metra katror tokë, duke bërë largimin e mbi 95,000 minave dhe mjeteve të tjera eksplozive të pashpërthyera.
Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës ka njoftuar se këto rezultate janë indikator i punës së shkëlqyer të kryer nga ekipet e FSK-së të Qendrës Ndërkombëtare të Kërkim-Shpëtimit dhe organizatat tjera deminuese, falë punës së tyre janë shpëtuar shumë jetë njerëzish dhe njëkohësisht është kthyer një numër i madh i tokave për shfrytëzim nga komunitetet.
“Çdo minë e pastruar do të thotë një jetë e shpëtuar. Çdo minë e pastruar na sjell një hap më afër në ndërtimin e kushteve për paqe afatgjate dhe produktive, andaj Ministria e Mbrojtjes mbetet e përkushtuar në ngritjen e kapaciteteve për të vazhduar pastrimin e të gjitha zonave të afektuara nga minat dhe mjetet e tjera eksplozive, ngase investimi në veprimin ndaj minave do të thotë investim në jetën njerëzore dhe të ardhmen e sigurt të vendit”, ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes.