Deri në 9 orë pritje për të hyrë në Kosovë në Merdarë, MPB bën thirrje që të shfrytëzohet Mutivoda
Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar (QKMK) ka njoftuar orëve të fundit, radhët për të hyrë në Kosovë nga Serbia përmes pikëkalimit kufitar Merdarë janë shtuar.
Derisa më parë njoftohej se pritjet në këtë pikëkalim po shkojnë deri në 8 orë, tanimë të gjithë ata që kanë mësyrë Kosovën përmes kësaj pike kufitare duhet të presin deri në 9 orë, kurse për të dalë nga Kosova pritjet shkojnë deri në 4 orë.
Ministria e Punëve të Brendshme, duke e parë këtë gjendje, ka kërkuar nga të gjithë ata që dëshirojnë të vijnë në Kosovë të shfrytëzojnë pikëkalimin tjetër kufitar me Serbinë, atë të Mutivodës.
Sipas QKMK-së, pritjet në Mutivodë për të hyrë në Kosovë janë 30 minuta, kurse për të dalë nga Kosova nga 15 deri në 20 minuta, prandaj edhe sugjerojnë që bashkatdhetarët që po vijnë për pushime në vendlindje të shfrytëzojnë këtë pikëkalim e të mos maltretohen me pritje të gjata në Merdarë.