Deri në fund të javës do të ekzekutohen rreth 30 milionë euro pagesa për subvencione dhe grante

09 gusht 2023 | 13:22

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, në një konferencë për medie ka folur të mërkurën për zhvillimet në sektorin e bujqësisë.

Ai ka treguar se në mbledhjen e fundit të qeverisë miratuam Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes mes Republikës së Kosovës të përfaqësuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Agjencisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombtar (GIZ) lidhur me projektin “Mbështetja për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Sektorit të Bujqësisë në Zonat Rurale përmes Diversifikimit të Aktiviteteve”.

“Ky projekt ka për qëllim diversifikimin e fermave dhe aktiviteteve alternative në zonat rurale në Kosovë. Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje do të mundësojë rritjen e punësimit në zonat rurale, përmes krijimit të mundësive të reja të punës ose vetëpunësimit dhe ruajtjen e vendeve të punës ekzistuese nëpërmjet zhvillimit të aktiviteteve të agro-biznesit, duke kontribuar kështu në qëndrueshmërinë e fermës dhe ngritjen e aktivitetit agro-ekonomik në po ato zona rurale”, ka thënë Peci, duke shtuar se në mbledhjen paraprake të qeverisë kanë aprovuar PKBZHR – 2023 – 2027.

“Javën që vjen aprovojmë Programin Vjetor të Granteve për vitin 2023, ndërsa deri në fund të javës do të ekzekutohen rreth 30 milionë euro pagesa për subvencione dhe grante. Gjithashtu është aprovuar Nisma për fillimin e negocimit për Marrëveshjen me Bankën Botërore dhe Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve për Projektin e Përmirësimit dhe Rindërtimit të Sistemeve të Ujitjes, projekt ky i cili do të implementohet nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural”, ka thënë ai, duke treguar se vlera e këtij granti është 9.15 milionë euro.

“Kjo shifër do të rrisë efikasitetin e përdorimit të ujit dhe të nxisë produktivitetin bujqësor në zonat ku do të zhvillohet projekti. Ky projekt ka synim përmirësimin dhe modernizimin e shërbimit të ujitjes, uljes së humbjeve të ujit dhe kostos së prodhimit, si dhe për të rritur produktivitetin bujqësor”, ka thënë ministri i Bujqësisë.

Ai ka bërë me dije se gjithsej janë 20.2 milionë euro për agroturizëm, ekoturizëm dhe zhvillim rural.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë së Serbëve të Kosovës, Aleksandër Jabllanoviq, ka…