Deri në fundjavën e kaluar plazhet ishin kështu, këtë fundjavë i mbyllin
Guvernatori i Kalifornisë së ShBA-së planifikon t’i mbyllë të gjitha plazhet dhe parqet shtetërore, bëri të ditur në një konferencë për shtyp sot, pasi temperaturat e larta çuan në grumbullime masive të njerëzve në fundjavën e kaluar.
Gavin Newsom, guvernator i shtetit, pritet ta njoftojë shtrëngimin e kufizimeve të enjten në një konferencë për shtyp, sipas FOX 11.
“Pas pamjeve të publikuara në media të plazheve të mbipopulluara këtë fundjavë të kaluar, rregulli i ri do të detyrojë që nesër plazhet dhe të gjitha parqet shtetërore në Kaliforni të mbyllen”, thuhet në një shkresë.
Në fotografitë e marra më 25 prill, njerëzit shihen duke shijuar temperaturat e larta në plazh, në mes të pandemisë së koronavirusit në Huntington Beach, Kaliforni.
“Ky virus nuk njeh fundjavat, ky virus nuk shkon në shtëpi sepse paraqitet një ditë e bukur në bregdetin tonë”, tha guvernatori.
Sipas këshillave të Organizatës Botërore të Shëndetit, njerëzit duhet të qëndrojnë të paktën dy metra larg njëri-tjetrit, të heqin dorë nga grumbullimi në grupe dhe të qëndrojnë larg tubimeve masive. Gjatë fundjavës të gjitha këto rekomandime u injoruan.