Deri në orën 12:00 votuan 14.5% e qytetarëve

09 shkurt 2025 | 15:24

Rrjeti i Organizatave Demokracia në Veprim ka bërë të ditur se deri në roën 12:00, kanë votuar 14.5% e qytetarëve.

Ata kanë evidentuar edhe disa probleme.

Komunikata:

DnV: Dalja e qytetarëve në zgjedhje është 14.5%, 6% prej tyre kanë votuar me asistencë

I.Dalja në votim

Sipas raportimeve të vëzhguesve të Demokracisë në Veprim (DnV) procesi i votimit – që nga hapja e vendvotimeve po zhvillohet në mënyrë të qetë. Deri në orën 12:00, të drejtën kushtetuese për të votuar e kanë shfrytëzuar rreth 14.5% votuesve (me margjinë gabimi+/-0,37), nga 1,970,944 e qytetarëve me të drejtë vote.
Në komunat me shumicë serbe, dalja në votime është raportuar të jetë mbi 24% që është gati dyfish më e lartë sesa mesatarja e përgjithshme e daljes në nivel vendi.

II.Parregullsitë më të shprehura në procesin e votimit

Vështirësitë e votuesve në gjetjen e vendvotimit
Vëzhguesit e DnV-së kanë raportuar se deri në orën 12:00, vështirësi për t’a gjetur emrin në Listë, rrjedhimisht për t’a identifikuar vendvotimin adekuat ka pasur në më shumë se 52% të vendvotimeve, deri në 10 raste të tilla. Shqetësues mbetet fakti se në 6% të vendvotimeve numri i qytetarëve që kanë raportuar për këto vështirësi ka qenë deri në 50 raste.

Këto vështirësi mund të jenë rezultat i ndryshimeve të Qendrave të Votimit nga ana e KQZ-së për shkak të rritjes së numrit të përgjithshëm të votuesve, ndonëse secili votues ishte informuar dhe kishte mundësi të kontrollojë qendrën e votimit dhe vendvotimin përmes sistemit elektronik.

Po ashtu, në këto zgjedhje ka ndryshime edhe sa i përket votimit me kusht, i cili tani mundësohet në vetëm një qendër votimi në secilën komunë.

Votimi me asistencë
Sipas rregullave të reja të KQZ-së, vetëm votuesit që nuk dijnë shkrim dhe lexim dhe ata me aftësi të kufizuara mund të kërkojnë ndihmë për të votuar. Por, paraprakisht ata duhet të ofrojnë një dokument përkatës që dëshmon aftësinë e kufizuar. Asistuesi ka të drejtë të ndihmojë vetëm një votues dhe rasti i votimit me asistencë duhet të regjistrohet në Librin e Votimit. Për më tepër, stafi zgjedhor dhe vëzhguesit e akredituar e kanë të ndaluar rreptësisht të ofrojnë çfarëdo asistence në votim.

Fenomeni i votimit me asistencë ka qenë shumë i shprehur në të gjitha proceset zgjedhore të kaluara dhe është keqpërdorur për të imponuar apo deformuar vullnetin e lirë të qytetarëve. Në zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2021, numri i rasteve të votimit me asistencë të rregullt ishte mbi 43,000 ose mbi 5% nga numri total i votuesve.

Deri në orën 12:00, nga numri i deritanishëm i qytetarëve që kanë votuar, 6% prej tyre kanë votuar me asistencë, e më shumë se dy të tretat prej tyre janë gra.

Poashtu, në 17% të vendvotimeve kemi hasur në raste të izoluara ku votues të rinj në moshë kanë kërkuar të votojnë me asistencë.
Gjithsesi, nuk kanë munguar edhe rastet kur votimi me asistencë nuk është zhvilluar konform rregullave, dhe kjo ka ndodhur në raste të izoluara në 7% të vendvotimeve, ku asistuesit nuk janë evidentuar fare në Librin e Votimit.
DnV i bën thirrje kryesuesve të KVV-ve që të sigurojnë që votimi me asistencë të bëhet konform rregullave zgjedhore. Asistenca e parregullt konsiderohet shkelje e dispozitave ligjore, e dënueshme me gjobë prej 200-2000 Euro.
Ka pasur disa raste të izoluara kur më shumë se një votues ka qëndruar prapa kabinës së votimit, dhe atë si fenomen në 11% të vendvotimeve.

Votimi me dokumente pavlefshme

Dje, KQZ ka marrë vendim që të lejojë votimin edhe me dokumente identifikimi të Republikës së Kosovës (letërnjoftim, pasaportë, patentë shofer) që u ka skaduar afati. Deri në orën 12:00, në 6% të vendvotimeve ka pasur raste të izoluara kur votuesit janë identifikuar me dokumente jo valide, siç mund të jenë dokumentet e shteteve të tjera, ose ato të lëshuara nga UNMIK-u.

Fotografimi i votës

Ndonëse fenomen në përmasa të vogla, cenimi i fshehtësisë së votës i manifestuar përmes fotografimit të votës po vazhdon të shfaqet edhe në këto zgjedhje. Fotografimi i votës dhe bërja e saj publike supozohet se ndërlidhet me cenimin e fshehtësisë së votës apo blerjes së saj, por edhe frikësimin e votuesit dhe shtrembërimin e vullnetit të tij.
Deri në orën 12:00, raste të izoluara të fotografimit të votës janë hasur në 4% të vendvotimeve.

Incidentet serioze
Deri në gjysmën e ditës, në 4% të vendvotimeve është rapotuar për shkelje procedurale siç janë rastet kur kabinat e votimit janë vendosur në atë mënyrë që kanë cenuar fshehtësinë e votës. Gjithashtu janë raportuar raste sa i përket fshirjes me lehtësi të ngjyrës matrikuluese nga gishti, që mund t’i hapë rrugë mundësisë së votimit të dyfishtë.
***
DnV u bën thirrje qytetarëve të dalin të votojnë dhe përmes pjesëmarrjes së tyre të sigurohen që zëri i tyre do të dëgjohet në përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës.
DnV kërkon nga të gjitha subjektet politike të përmbahen nga çdo veprim që mund të cenojë integritetin e procesit zgjedhor.
DnV pret që institucionet relevante të ndërmarrin të gjitha masat e duhura për të garantuar një atmosferë të qetë dhe zgjedhje demokratike dhe të lira.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nis verifikimin e votave…