Deri në përfundim të mandatit ndërmarrjet publike do të jenë të vetëqëndrueshme
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka bërë me dije se pjesa më e madhe e ndërmarrjeve publike qendrore kanë rritje të hyrash financiare për vitin 2017.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se që nga marrja e mandatit të tij të ministrit ridefinimi i objektivave dhe marrja e masave korrigjuese në disa ndërmarrje ka prodhuar rezultate fillestare. Lluka ka thënë se disa prej masave të para që janë ndërmarrë janë ndërprerja e shpenzimeve të panevojshme dhe shpërndarja e bonuseve tek anëtarët e bordit dhe punëtorët.
“Jam optimist se deri në përfundim të mandatit katërvjeçar ndërmarrjet publike do të jenë të vetëqëndrueshme”, ka thënë Lluka. Për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” ai ka thënë se ky termocentral do të ndërtohet dhe do të jetë një projekt model si për nga cilësia, po ashtu për nga ndikimi dhe rritja ekonomike
“Epoka e re”: Z. Lluka, na thoni si është gjendja në ndërmarrjet publike aktualisht dhe sa jeni optimist se në mandatin tuaj do të ketë përparim?
Lluka: Sipas vlerësimeve të fundit, pjesa më e madhe e ndërmarrjeve publike qendrore kanë rritje të të hyrave financiare për vitin 2017, veçanërisht operimi financiar i ndërmarrjes KEK është tejet pozitiv, pasi e njëjta ka shënuar fitim për vitin 2017 afërsisht 20 milionë euro. Vlerësoj se që nga marrja e mandatit ridefinimi i objektivave dhe marrja e masave korrigjuese në disa ndërmarrje ka prodhuar rezultate fillestare. Disa prej masave të para që janë ndërmarrë janë ndërprerja e shpenzimeve të panevojshme dhe shpërndarja e bonuseve tek anëtarët e bordit dhe punëtorët. Po ashtu, vlerësoj se draftligji i ri i cili është përgatitur nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik është hap pozitiv me qëllim të krijimit të strukturave të pavarura dhe profesionale, riorientimit të politikave të ndërmarrjeve publike, me theks riorganizimi i ndërmarrjeve publike me qëllim të përmirësimit të problemeve që deri më tani kanë përcjelle ndërmarrjet publike në përgjithësi. Jam optimist se deri në përfundim të mandatit katërvjeçar ndërmarrjet publike do të jenë të vetëqëndrueshme, çfarë do të thotë se të njëjtat nuk do të subvencionohen më nga Qeveria.
“Epoka e re”: Çështje problematike apo neglizhim dhe interferim politik shihet te Posta. Çfarë planesh të afërta keni?
Lluka: Posta e Kosovës është ndërmarrje tejet specifike dhe me rëndësi publike. Së fundmi e njëjta është përballur me disa vështirësi. Megjithatë, me propozimin tim, Qeveria e Kosovës ka ndarë për të njëjtën një shumë simbolike të hollash me qëllim të mbulimit të disa prej shpenzimeve operative. Sfidues mbetet përcaktimi i saktë për shërbimin universal postar të cilin do ta adresojmë në pjesën e parë të vitit 2019 në bashkëpunim me bordin e ri të kësaj ndërmarrje.
“Epoka e re”: Deri ku ka shkuar puna sa i përket draftstatutit të “Trepçë”-s?
Lluka: Sa i përket ndërmarrjes “Trepça Sh.A”, deri më tani kemi marrë të gjitha hapat e nevojshëm me qëllim të funksionalizimit të ndërmarrjes. Qeveria e Kosovës ka emëruar bordin mbikëqyrës si hap fillestar, i cili ka propozuar për Kuvendin e Kosovës draftstatutin, gjithsesi, me qëllim të akomodimit të kërkesave të Sindikatës së Punëtorëve. Si ministër përgjegjës kam themeluar dy grupe punuese të cilat kanë dërguar rekomandimet e tyre në Kuvendin e Kosovës me qëllim të kompletimit të statutit. Jam i bindur se deri në përfundim të këtij viti Kuvendi i Kosovës, si organ përgjegjës për miratimin e statutit, do ta përfundojë obligimin e tij dhe do të bëhet regjistrimi i Trepçës si shoqëri aksionare. Jam tejet optimist se me regjistrimin e ndërmarrjes do të hapet një fazë e re dhe investimet nuk do të mungojnë. Trepça do të kthehet si promotor i zhvillimit ekonomik dhe për këtë mbetem i përkushtuar.
“Epoka e re”: Z. Lluka, është paralajmëruar edhe tërheqja e BERZh-it nga termocentrali “Kosova e Re”. Sa do ta prolongojë finalizimin e këtij projekti?
Lluka: BERZh-i nuk ka qenë asnjëherë i kyçur në projektin e ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re”. Qeveria e Kosovës nuk ka pasur konsideratë për mbështetjen e BERZh-it në këtë projekt. “Kosova e Re” do të ndërtohet dhe do të jetë një projekt model si për nga cilësia, po ashtu edhe për nga ndikimi dhe rritja ekonomike që do ta ketë Republika e Kosovës. Jam i sigurt se ky projekt do të hapë perspektivë të qartë për të ardhmen ekonomike të vendit.
“Epoka e re”: Mospranimi i Kosovës në ENTSO, sa do ta dëmtojë Kosovën?
Lluka: Pranimi në ENTSO do të ndodhë në një të ardhme të afërt. Është fatkeqësi që një trup tejet teknik si ENTOS të jetë i varur tërësisht nga vendime politike. Kosova padrejtësisht është trajtuar nga ky trup për shumë vjet. Qytetarët tanë, për shkak të këtij trajtimi, janë dëmtuar për vite me radhë. Sa i përket mospranimit, ditë më parë propozimi për një formë të tillë të pranimit nuk ka qenë i përshtatshëm për Republikën e Kosovës, pra ne si Qeveri e kemi kundërshtuar propozimin e ENTSO-s, rrjedhimisht ky vendim nuk na ka dëmtuar. Ne aspirojmë të jemi anëtarë të ENTSO-s me të drejta të plota sikurse të gjitha shtetet e pavarura të Evropës, prandaj edhe abstenimi i shteteve mike ka qenë në përputhje me qëndrimin tonë.
“Epoka e re”: Dy shtetet fqinje abstenuan në votimin për anëtarësimin e Kosovës (KOSTT) në ENTSO. Pse ndodhi kjo dhe a është lobuar në këtë drejtim?
Lluka: Në kohën e duhur do t’i marrim të gjitha masat që shtetet mike të jenë të radhitura përkrahë nesh për anëtarësim të Kosovës si shtet me të drejta të plota.
“Epoka e re”: Po ashtu, prolongim kemi edhe tek Interkonjuksioni. A duhet të ridialogohen sërish në Bruksel marrëveshjet me Serbinë?
Lluka: Moszbatimi i marrëveshjes së Interkoneksionit, e arritur si pjesë e bisedimeve të lehtësuara nga BE-ja në mes të Prishtinës dhe Beogradit, është çështje tejet shqetësuese. Këto shqetësime i kam paraqitur në të gjitha forumet, konferencat dhe takimet me ministra homologë të vendeve të regjionit dhe BE-së, me përfaqësues të ambasadave të akredituara në Kosovë si dhe me komisionarin Hahn. Qeveria e Kosovës i ka përfunduar të gjitha obligimet e v eta të marra me marrëveshje, por që e njëjta nuk është bërë nga ana e Beogradit. Vlerësoj se moszbatimi i kësaj marrëveshje, përveçse shënon dëme të pariparueshme për Republikën e Kosovës, është akt i padrejtë dhe në kundërshtim me çdo praktikë ndërkombëtare apo të fqinjësisë. Padrejtësisht që 20 vjet ne kemi paguar energjinë elektrike për qytetarët e veriut. Megjithëse mbesim të përkushtuar që t’i furnizojmë qytetarët tanë të veriut me energji, mospagimi i kësaj energjie të shpenzuar është akt i papranueshëm. Kohë më parë kam kërkuar vendosjen e taksës prej 5 përqindësh për produkte që hyjnë nga Serbia në emër të kompensimit të kësaj energjie dhe më vjen mirë që së fundmi Qeveria e ka marrë një vendim të tillë.
Gjithsesi, mbesim të përkushtuar për ta zgjidhur përfundimisht këtë çështje dhe për këtë janë të njoftuar të gjithë, duke përfshirë edhe krerët më të lartë të BE-së. Jam optimist se shumë shpejt do të gjendet një zgjidhje. Për këtë jam duke punuar dhe do të njoftoheni së shpejti.
“Epoka e re”: Është paralajmëruar dënim nga ARKEP-i nëse pas 15 janarit operatorët Vala dhe IPKO do të gjobiten për mosimplementim të kodit +383. A rrezikohet që për gjobën e VALA-s të paguhet nga buxheti i shtetit, marrë parasysh gjendjen financiare në këtë ndërmarrje?
Lluka: Implementimi i tërësishëm i kodit +383 është përcaktim institucional dhe do të ndodhë brenda afateve të parapara nga ARKEP-i. “Telekomi i Kosovës” Sh.A. do të gjejë forma që ta bëjë implementimin e plotë në kodin e ri shtetëror të Republikës së Kosovës.
Albulena S. MAVRAJ