Deri në tetor janë raportuar 2 287 raste të dhunës në familje

19 dhjetor 2022 | 12:25

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka njoftuar se deri në tetor të këtij viti janë raportuar 2 287 raste të dhunës në familje.

“Sipas Policisë së Kosovës në periudhën janar – tetor 2022 janë raportuar 2 287 raste të dhunës në familje prej të cilëve femrat kanë qenë viktima në 1 799 raste kurse meshkujt në 488 raste. Ishin edhe tri raste që përfunduan me fatalitet, të gjitha femra e që hasën në reagim të ashpër të opinionit kosovar dhe jo vetëm në Kosovë. Numri i rasteve të raportuara, në dukje është i madh ndonëse KMDLNj vlerëson se numri i rasteve të paraportuara mund të jetë edhe më i madh. Adresa e parë ku drejtohet viktima për përkrahje është Qendra për Punë Sociale që ofron ndihmën e parë dhe, në bashkëpunim me institucionet tjera, policinë në radhë të parë, krijon mundësi për trajtim të mëtutjeshëm të viktimës”, ka njoftuar KMDLNj.

Sipas këtij njoftimi, në disa raste, QPS-ja, me vetëdije apo duke u mbështetur në fakte të rreme rreshtohet në anën e dhunuesit duke e përkeqësuar gjendjen e viktimës.

“Ky vlerësim i QPS-së, bashkë me raportin e policisë ndikon në vendimin për caktim të kujdestarisë për fëmijë (nëse kanë fëmijë), në të drejtën për trashëgimi dhe trajtimin e viktimës duke e dërguar në trajtim në institucion të mbyllur që, pastaj prodhon pasoja zinxhirore për viktimën e dhunës në familje apo të ndonjë dhune në formë tjetër. Lëshimi apo dështimi i hallkës së parë të zinxhirit të trajtimit të viktimës e që është QPS-ja prodhon pasoja afatgjate dhe, në raste të caktuara edhe të pariparueshme për viktimën e dhunës në familje”, ka njoftuar KMDLNj.

KMDLNj ka dhënë vërejtje edhe për gjykatën. “Gjykata, pa e skanuar fare të kaluarën e kujdestarit që e cakton, që mund të ketë të kaluar kriminale apo probleme me ligjin, bie në lajthitje me ç’rast dhunuesi caktohet kujdestar që pastaj viktimën, përmes shantazhimit e dhunon edhe gjatë trajtimit mjekësorë sikur edhe pas trajtimit. Kujdestari i papërgjegjshëm dhe dhunues cakton se kush mund ta vizitojë viktimën gjatë trajtimit, me kë mund të komunikojë viktima, a mund të ketë viktima telefon a jo, a do të shkojë viktima gjatë fundjavës në shtëpi apo jo ndonëse e ka lejen e mjekut, a do t’i takojë viktima fëmijët apo jo etj.etj. Me një fjalë, e mbanë viktimën në qark të izoluar duke ndikuar edhe te personeli mjekësor i cili thirret në vendimin e gjykatës si dhe në të drejtat e kujdestarit që ia njeh gjykata. Edhe nëse viktima deklarohet se nuk e pranon kujdestarinë që ia cakton gjykata, vullneti i viktimës nuk respektohet edhe në kohën kur thuaja e ka gjendjen shëndetësore të përmirësuar”, theksohet në njoftimin e KMDLNj-së.

KMDLNj ka kërkuar dhe kërkon një auditim të QPS-ve, raporteve të policisë, vendimeve të gjykatave sidomos në rastet që kanë të bëjnë me kujdestarinë ndaj fëmijëve, kujdestarinë ndaj viktimës, mohimin e të drejtës për trashëgimi dhe trajtimin në institucionet e mbyllura.

“KMDLNj inkurajon të gjitha viktimat e dhunës në familje, të dhunës seksuale, që iu mohohet e drejta për kujdestari për fëmijët, e drejta për trashëgimi që iu takon sipas ligjeve në fuqi, t’i raportojnë rastet në polici apo të OJQ-të që merren më të drejtat e njeriut, pa hezituar fare dhe pa pasur frikë se identiteti i tyre do të bëhet publik. KMDLNj mendon se këto raste duhet të kenë prioritet gjatë trajtimit sikur që duhet të jetë një ekip i profilizuar i avokatëve që kanë njohuri për të drejtat e njeriut e që do të merren me këto raste. Vetëm në këtë mënyrë mund të ulen rastet e dhunës në familje, si hap i parë drejt një veprimi më efikas për parandalimin e tyre!”, ka njoftuar KMDLNj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Franca pësoi humbje në finale të Kupës së Botës, derisa…