Deri tani 102,236 raste me coronavirus në Kosovë, aktive janë 11,756
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik bën të ditur se numri total i rasteve pozitive është 102.236 raste nga 505.249 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 2.100 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 957 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 88.380 raste, kurse numri i rasteve aktive është 11.756.
Ndryshe, IKSHPK në vazhdimësi bën thirrje për respektim të masave.
Policia e Kosovës natën e së martës ka dal në terren inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës (AUV), për të kontribuar në respektimin e masave dhe ruajtjen e shëndetit publik.
“Shëndeti dhe siguria e qytetarëve tanë vazhdon të mbetet prioritet në këtë periudhë pandemie. Pavarësisht detyrave dhe angazhimeve tjera policore, në çdo kohë dhe në çdo vend, policia është duke operuar me zyrtarët e saj dhe Inspektorët e AUV, për të kontribuar në respektimin e masave dhe në ruajtjen e shëndetit publik”, thuhet në komunikatë.
Policia e Kosovës kërkon nga të gjithë qytetarët që të respektojnë masat e vendosura në të mirë të secilit, në të kundërtën paralajmëron masa ndëshkuese sipas ligjit.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës më 18 prill ka marrë vendim për masa të reja për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, me të cilat kufizohet qarkullimi i qytetarëve dhe puna e gastronomisë nga ora 22:30 deri në 05:00.
Shërbimi “dërgesë me porosi” lejohet të funksionojë edhe pas orës 22:30, pas pajisjes me leje të veçantë nga sistemi EDI (ATK). Në hotele, pas 22:30, shërbimi i pijeve dhe ushqimeve lejohet edhe në zonën e përcaktuar për ngrënie dhe pije, vetëm për mysafirët e këtyre subjekteve, të cilët verifikohen përmes listës që tregon personat që qëndrojnë për fjetje dhe që ofrohet nga subjekti përkatës.
Për shkelësit e masave, organet kompetente obligohen të shqiptojnë masat ndëshkimore sipas Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Covid-19 në territorin e Kosovës dhe ligjeve të tjera në fuqi.