Derisa të na japin pagat do të rrimë këtu e të protestojmë
Rreth 400 punëtorë të ndërmarrjes “Trepça” janë duke protestuar para minierës në Stën-Tërg për shkak se thonë se nuk kanë marrë pagat. Punën me këtë kërkesë ata e kanë bojkotuar që nga e premtja edhe pse në pandemi janë të ndaluara tubimet e tilla.
Kryetari i Sindikatës, Gani Osmani, deklaroi se do ta rrezikojnë edhe shëndetin derisa të ketë diçka konkrete lidhur me kërkesat e tyre. “Jemi duke protestuar të gjitha ndërrimet. Sot ka pasur të dalë para neve kryeshefi me staf, por deri tani nuk kanë ardhur. Ne e kemi rrezikuar jetën, kemi punuar në kushte të jashtëzakonshme dhe nuk ka paga për ne. Nga e premtja nuk kemi punuar dhe nuk na ka marrë parasysh askush. Ne do të qëndrojmë këtu edhe në këto kushte të pandemisë, edhe nëse prekemi të gjithë me koronavirus”, raporton Klankosova. “Këtu kemi me qëndru derisa t’i marrim pagat. Po ashtu, kërkojmë edhe dorëheqjen e menaxherit, pasi nuk po e menaxhon punën mirë. Nëse nuk merr masa dikush ne kemi me dalë edhe në rrugë, kështu kanë thënë punëtorët”, ka thënë Osmani.