Dermaku nga Cosenzan kalon te Parma
Mjaftuan dy sezone të mira me Cosenzan në Serinë C dhe më pas në B për të bërë hapin cilësor. Kastriot Dermaku tashmë është lojtar i Parmës, që ka afruar në skuadër qendërmbrojtësin e përfaqësueses shqiptare me parametër zero.
27-vjeçari bëri një paraqitje shumë të mirë edicionin e kaluar me Cosenzan, duke u aktivizuar në 33 takime, 32 prej të cilave i nisi si titullar, dhe dukë shënuar një gol, atë të fitores minimale ndaj Spezias.
Një paraqitje e tillë nuk ka lënë pa tërhequr vëmendjen e klubeve italiane, por kalimi te Parma është një surprizë e vërtetë edhe për vetë futbollistin, që sheh një mundësi të artë jo vetëm për të treguar aftësitë e tij në elitën e futbollit italian, por mbi të gjitha në një skuadër të njohur.
Gjithashtu Dermaku fitoi simpatinë e trajnerit të ri të Kombëtares Shqiptare, Edy Reja, i cili e vendosi si titullar në sfidën ndaj Islandës, kjo ndikuar edhe nga mungesa e Mërgim Mavrajt.
Dermaku nuk është i vetmi lojtar i përfaqësueses kuqezi që do të veshë fanellën e Parmës, pasi më parë me emilianët ka luajtur Andi Lila, që në 13 ndeshje realizoi madje dy gola. Parma është një jap i madh në karrierë për mbrojtësin kuqezi, që deri më sot ka luajtur me skuadra të një profili më të ulët.
Kastriot Dermaku i shtohet kështu kolonisë së kuqezinjve në Serinë A, duke iu bashkuar Thomas Strakoshës, Etrit Berishës, Elseid Hysajt, Berat Gjimshitit dhe Emanuele Ndojit./SS/