![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2025/02/auto_42ff60b00c89c2ba59ca5d03fe810aa21739539016.jpeg)
Deschamps sqaron me detaje ‘problemet’ e Mbappesë në kombëtare
Popullariteti i Kylian Mbappé-së në Francë ka arritur në nivelet më të ulëta historike.
Në kohën e emërimit të tij si kapiten i kombëtares franceze, zgjedhja nuk u pranua unanimisht.
Më pas, mungesat e tij në sfidat e tetorit dhe nëntorit ndezën polemika dhe tërhoqën shumë kritika. Arsyet e këtyre mungesave nuk janë sqaruar asnjëherë plotësisht.
Sa i përket grumbullimit të tetorit, thuhet se Mbappe donte të përqendrohej te Real Madridi, duke shfrytëzuar pushimin për të rifituar gjendjen e tij më të mirë fizike pas një fillimi jo fort të mirë të sezonit.
“Në shtator kisha folur tashmë me trajnerin dhe i kërkova të mos bashkohesha me kombëtaren. Sapo kisha mbërritur në Madrid dhe ende nuk ndihesha si në shtëpinë time. Mendërisht nuk isha 100%”, – deklaroi vetë Mbappé në fillim të dhjetorit.
Sipas shumë njerëzve, mungesa e tij në nëntor do të lidhej me një episod ekstra sportiv, pas një mbrëmjeje të kaluar në një klub nate në Stokholm. Por në këtë pikë francezi ishte më evaziv: “Për nëntorin, nuk mund të them asgjë. Ishte vendim i trajnerit, e mbështes atë që tha. Folëm të dy dhe ai shpjegoi situatën në konferencën për shtyp. Nëse një ditë dëshiron të flasë për këtë, do të jetë ai që do ta bëjë. Unë e respektoj plotësisht zgjedhjen e tij, është shefi”.
Gjatë një konference të gjatë për shtypin të dhënë për medie të ndryshme, duke përfshirë “L’Equipe”, Didier Deschamps sqaroi pozicionin e Mbappesë, duke përsëritur se lidershipi i tij nuk është vënë kurrë në dyshim: “Unë besoj se Kylian e menaxhoi mirë tranzicionin pas ‘pensionimit’ të Hugo Lloris dhe Raphael Varane. Ai mori rolin e kapitenit me Antoine Griezmann”.
Deschamps konfirmoi se sulmuesi i Real Madridit do ta mbajë shiritin edhe në ndeshjen e ardhshme të marsit, në çerekfinale të Ligës së Kombeve kundër Kroacisë. Trajneri më pas e mbrojti lojtarin e vet: “Kylian ka të drejtë të kalojë një periudhë vështirësie.
Gjithmonë kam thënë se Franca është më e fortë me Mbappenë në fushë. Media e dha vendimin e saj pa u dëgjuar as nga sistemi i drejtësisë suedeze. Për javë të tëra ai është sulmuar, por Kylian e di se, për të mirë apo për keq, gjithmonë do të flitet rreth tij. Megjithatë, situata u prezantua mediatikisht shumë më komplekse se sa ishte”.
Më tej, Deschamps iu rikthye mungesave të shumëpërfolura të kapitenit: “Përpara listës së lojtarëve të thirrur, një ditë më parë, ekzistonte mundësia që ai të luante në Lille për Champions League. Në fund luajti gjysmë ore, ende jo në gjendjen e tij më të mirë.
Pas një diskutimi me stafin mjekësor, u vendos që ta linim të rikuperohej plotësisht. Kur përpilova listën time, zgjodha të mos e thërrisja. Nuk ishte një sanksion i bazuar në vlerësimin e tij fizik, por një vendim i marrë së bashku me lojtarin”.
Deschamps më në fund e zvogëloi polemikën për tetorin: “Kylian varet nga programi i Realit, i cili i dha atij pesë ditë pushim. Në atë periudhë mund të bënte atë që donte. Qoftë në Stokholm apo diku tjetër, ai nuk do të kishte kaluar pa u vënë re.
Po, u përfol jashtë fushe gjatë një ndeshjeje të Francës, por kjo nuk e pengoi atë të mbante kontakte me mua dhe skuadrën. U përfshi në skandalin e pretenduar të Stokholmit, por nuk kishte të bënte me të. Ishte një bujë e tepruar mediatike”.