DËSHIROJ TË KTHEHEM NGA AMERIKA E TË KONTRIBOJ NË FUSHËN TIME NË KOSOVË
Shkruan: Fatmir Krasniqi, mësimdhënës i pensionuar
Sikur e kanë bërë traditë të përhershme ish nxënësit e mi shumë të dashur e të shquar, të respektuar e të nderuar që studiojnë jashtë Kosove ,në Evropë e Amerikë, sa herë që kthehen për pushime në Kosovë, më ftojnë për t’u takuar e për të bashkëbiseduar për sukseset e tyre, si dhe për kujtimet e rrëfimet nga shkolla fillore.
Kështu pra, para disa ditësh u takuam së bashku me Elda Osmanin, nxënësen time shumë të çmuar dhe prindin e saj shembullor Ismail Osmanin.
Ishte një takim i çiltër e i përzemërt e me një bashkëbisedim të këndshëm e mbresëlënës.
Elda Osmani ishte nxënëse shembullore dhe e dalluar në shkollën fillore “Elena Gjika”, në Prishtinë.
Gjithnjë rrezatonte mirësjellje e buzëqeshje, respekt e dashuri për nxënësit dhe mësimdhënësit.
Shquhej e printe në shumë veprimtari të lira të shkollës me plot ide, talent e zgjuarsi që i kishte dhunti.
Në lëndën e Gjuhës shqipe dallohej në drejtshkrim dhe rregullat gramatikore.
Pjesëmarrëse në shumë gara të ndryshme të diturisë, e njëra ndër nxënëset më të dalluara në nivel të Kosovës, në Testin e Arritshmërisë, në Testin e kl.IX, Qershor 2019.
Numri i përgjithshëm i pikëve ishte 100.
Totali për Elsën ishte 95 pikë.
Veçon dhe flet me shumë admirim për mësuesen, edukatoren e pedagogen shembullore Irenë Gegaj, që tani jeton e punon në Florida të Amerikës.
Elda, për mësuesen Irenë thotë se ka qenë mësuese shumë shumë e mirë. Gjithmonë ka pasur iniciativa e ide kreative për ne nxënësit e saj. Na ka mbështetur, motivuar me përkushtimin më të madh duke na përkrahur në çdo mënyrë.
Edhe pasi e kemi mbaruar klasën e 5-të,ajo vazhdimisht është përkujdesur për ne duke u interesuar e bashkëpunuar përherë me juve si kujdestar klase dhe me mësimdhënësit e tjerë.
Po ashtu veçon dy arsimtaret e Matematikës, Elvira Ibrahimin dhe Fitore Ahmetin, për njohuritë nga Matematika që i kanë shërbyer shumë gjatë studimeve në Amerikë.
Nga disa mësimdhënës të Kosovës kërkon që të kenë një metodologji më bashkëkohore e më të përshtatshme për nxënës.
Veçon edhe shumë kujtime të bukura e të paharruara nga shkolla fillore, e sidomos e kujton vizitën dhe aktivitetin në ambientet e Kryeministrisë së Shqipërisë në Tiranë, si dhe motërzimin e dy shkollave fillore “Elena Gjika”,Prishtinë dhe “Dora d’Istria”,Tiranë.
Kujtime nga shkolla e mesme
Klubi i Teknikëve në Gjimnazin “Xhevdet Doda”,ishte shumë aktiv, nën udhëheqjen e mbikëqyrjen e profesoreshës Njomza Selimi. Fillova që nga klasa e 10-të.
Në Konkursin e Dizajnit për Klubet e Teknikëve në Kosovë, fituam Çmimin e Parë për Projektin e Pinball,të udhëhequr nga unë, thotë Elda.
STUDIMET E ELDËS NË AMERIKË
Fakulteti: Bradley University, Peoria, Illinois, United States of America
Drejtimi: Game States Desing- Dizajn i Lojërave Kompjuterike
Nëndrejtimi: Shkenca Informatike dhe Kompjuterike.
Sukseset dhe arritjet:
Në Prill 2024,isha Producente e eventit “Fuse”,i cili është një Panair i Lojërave që Universiteti im organizon për çdo vjet,ku shfaqën lojërat e projektet interaktive, që studentët e Universitetit kanë krijuar.
Elda, po ashtu thotë se ka udhëhequr dhe drejtuar mbi 200 studentë dhe staf të Fakultetit për organizimin e këtij eventi. Panairi zgjati dy ditë në Muzeun e qytetit Peorias, ku na vizituan 2000 të rritur e fëmijë.
Ky ishte një numër i madh që nuk kishte ndodhur kurrë më parë në këtë shfaqje (event).
Pjesëmarrja paraprake ishte 100 persona.
Për këtë Panair kam pasur dy intervista në Televizionet e njohura amerikane, si dhe Intervistë për gazetën e Fakultetit.
Në Maj 2024 kam marrë Çmimin e Studentit të Dizajnit të Lojërave Kompjuterike më të mirë të gjeneratës sime.
Gjatë muajve Maj 2024 deri në Gusht 2024 kam qenën në praktikë në Studion Undead Labs, pronësi e Xbox Studios Microsoft.
Kam punuar si Game Producer(Producente e Lojërave Kompjuterike) në lojën”State of Decay 3″,e cila është akoma në Produksion.
Këtu është limku i trailerit të lojës.
Aktivitetet jashtë shkollore
Është presidente e Organizatës së Esports( Sporteve Elektronike) të Universitetit,ku studion.
Koordinon dhe udhëheq shfaqje sociale ,si dhe Ekipet konkuruese, të cilat marrin pjesë në një ndër ligat e Esprts më të mëdha të Universiteteve të Amerikës së Veriut!
Këto janë sukseset Elda Osmanit në Amerikë, që na bëjnë të ndihemi shumë krenarë edhe ne.
Elda është e i nteresuar dhe e gatshme për të bashkëpunuar me Prishtinën e Tiranën,me idetë dhe lojërat edukative për fëmijët dhe të rinjët me motive shqiptare.
Elda,në fund u zotua se gjithësesi do të kthehet në Kosovë.
Kam dëshirë të marrë eksperiencë sa më shumë në fushën time në Amerikë,e vende të tjera,e pastaj ato njohuri t’i shpërndaj e të kontriboj në zhvillimin e fushës sime në Kosovë.
Jemi shumë mbrapa në këtë industri në krahasim me vende të tjera, na tha Elda.
Elda dhe shoqet e shokët e saj të shquar janë krenaria dhe ardhmëria e ndritshme e kombit!
Eldës dhe të gjithë nxënësve të mi të dashur që janë duke studiuar në Kosovë, Evropë, Amerikë e deri në Argjentinë, nga zemra u uroj shëndet të plotë, mbarësi, mirësi e bardhësi si dhe suksese të mëdha në fushën e dijes e të shkencës!
Gëzuar Vitin 2025!