Dëshmi dhe të dhëna për njerëz dhe kohëra
Mr. sc. Bedri Zyberaj
Vështrim për librin e Hasan Ukëhaxhajt, ,,Komiteti i Deçanit-LNÇKVShJ”, botim i ShBPK, Prishtinë, 2022
Në vitin që lamë pas Shoqata e të Burgosurve Politikë e Kosovës ka botuar librin ,,Komiteti i Deçanit – LNÇKVSHJ” të autorit Hasan Ukëhaxhaj të cilin po e promovojmë sot.
Që në fillim dua të vë në pah se ky libër, pavarësisht ndonjë mangësi që mund të ketë, është i një rëndësie të veçantë ngaqë, përveç dëshmive për periudhën paraprake, merret dhe mëton ta ndriçojë aktivitetin e Komitetit të Deçanit që prej formimit të tij më 28 qershor 1980 e derisa nuk burgosen anëtarët e këtij Komiteti në maj të vitit 1981.
Nëse bazohemi vetëm në titullin e librit, mund të vijmë në përfundimin se në të, flitet vetëm për Komitetin e Deçanit. Por, brendia na jep diçka më shumë që shkon përtej formimit dhe aktivitetit të këtij Komiteti, me ç’rast autori na jep të dhëna dhe dëshmi edhe për komitetet tjera vendore të LNÇKVShJ, siç janë: Komiteti i Gllogocit, i Mitrovicës dhe i Llapit. Dikush mund të shtrojë pyetjen se pse ndodh kështu?
Pse Hasan Ukëhaxhaj merr mundin që në librin e tij të flasë dhe për komitetet e këtyre qendrave, ndërsa në titull figuron emërtimi në njëjës vetëm për Komitetin e Deçanit?
Sigurisht që askush nuk do të mund t’i përgjigjet kësaj pyetjeje pa pasur informacionin e duhur për atë periudhë se si janë zhvilluar ngjarjet. Dhe këtë vakum, secili do ta plotësojë duke u informuar me disa të vërteta të panjohura për shumicën prej nesh, pasi ta lexojë librin në tërësi.
Komiteti i Deçanit ishte themeluar në saje të angazhimi të Ismail Haradinajt, i cili, duke shfrytëzuar një lidhjeje të largët miqësore që kishte me familjen Gërvalla, pas shkuarjes së Jusufit në Gjermani, kishte rivënë kontakte me të pikërisht për qellim të organizimit. Në saje të këtij bashkëpunimi do të rezultojë formimi i Komitetit të Deçanit. Pra, ky organizim ishte fryt i këtyre kontakteve dhe i këtij bashkëpunimi.
Pastaj, derivat i punës së Komitetit të Deçanit do të jenë edhe komitetet tjera vendore që u theksuan më lartë: i Gllogocit, i Mitrovicës dhe i Llapit.
Përveç këtyre komiteteve, në libër i është dhënë hapësirë edhe Grupit të të rinjve të Deçanit i pagëzuar me ermin ,,Shqiponja”, të dhënat për të cilin janë me një interes, jo vetëm për kohën kur ka vepruar ky Grup, por edhe për faktin që angazhimi i anëtarëve të tij kur të vihet në kontekstin e zhvillimeve të mëvonshme politike në Kosovë, deri te lufta e UÇK-së dhe koha që e pasoi këtë luftë, përfshi dhe ditët e sotme, paraqesin një peshë të veçantë të lidhshmërisë së ngjarjeve dhe epokave.
Këtë ndërlidhshmëri, në rastin konkret e bën fati i njërit prej anëtarëve kryesor të këtij Grupi simpatik – Nasim Haradinajt, i cili, prapë, edhe pas 40 vjetësh, gjendet i burgosur. E njëjta gjë ndodh edhe me të paraburgosurin tjetër të Dhomave të Specializuara – Jakup Krasniqin.
Kauza është e njëjta, bartësit e njëjtë.
Kanë ndryshuar vetëm hetuesit dhe prokurorët si dhe vendmbajtja e burgimit.
Prandaj, duke i vështruar këto zhvillime në shtrirjen e gjerë kohore, kur po i afrohemi distancës prej një gjysmëshekulli, të vërtetën për bartësit e atdhetarizmit që e kanë filluar që prej kohës së para demonstratave të vitit 1981 (po pse jo edhe të brezave të mëparshëm) e deri sot, do të mund ta përmblidhnim duke i parafrazuar dy vargje të poezisë së I. Kadaresë ,,Nisja e shqiptarëve për në luftë” me një ndryshim fare të vogël: ,,nga burgjet vijmë, në burgje shkojmë/ Dhe tjetër fat s’kërkojmë ne.”
Në aspektin teknik, por pse jo dhe tematik, libri ,,Komiteti i Deçanit” ndahet në dy pjesë, që nuk mund të thuhet se nuk kanë lidhje në mes vete, por që megjithatë materien e përfshirë brenda tyre e nxjerrin në shpërputhje me atë që dikton titulli i librit.
Pse mund të thuhet kështu?
Mund të thuhet kështu, sepse, në pjesën e parë që përfshinë gjysmën librit, autori merret me periudhën paraprake të temës bosht, duke u rikthyer thellë në histori. Ndërkaq, gjysma tjetër i lihet veprimtarisë së Komitetit të Deçanit dhe tri komiteteve tjera: të Drenasit, të Mitrovcës dhe të Llapit.
Për Komitetin e Deçanit, për aq sa di unë, deri tani ka shkruar vetëm Ethem Çeku, në librin e tij ,,Mendimi politik i Lëvizjes Ilegale në Kosovë 1945/1981” që është botuar në Prishtinë më 2003, me ç’rast, veprimtaria e këtij është trajtuar si pjesë integrale e lëvizjes ilegale në Kosovë brenda harkut kohor 1945-1981.
Hasan Ukëhaxhaj është i pari që me këtë libër, lexuesit, i sjell dëshmi të gjalla për këtë Komitet, duke ofruar të vërteta që për shumë kënd mund të kenë qenë të pa njohura deri tani.
Në libër, i është dhenë një hapësirë e konsiderueshme frymës që kishte zënë të mbizotëronte gjithë jetën kulturore dhe politike të shqiptarëve të Kosovës sidomos pas Plenumit të Brioneve (1966). Këtë frymë e kishin ngjallur dhe ushqyer ngjarje të veçanta me rëndësi kombëtare si Konsulta e Prishtinë e prillit të vitit 1968 apo Kongresi i Drejtshkrimit i nëntorit të vitit 1972, e sidomos jubiletë e rëndësishme: 500 vjetori i vdekjes së Skënderbeut (1968) dhe 100 vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1978). Në vorbullën e këtyre zhvillimeve dhe atmosferën entuziaste ishte përfshirë edhe autori i këtij libri – H. Ukëhaxhaj, gjë që na e dëshmon vetë në shumë përshkrime që gjenden brenda kopertinave të tij.
Në një atmosferë të tillë frymëzimi, duke i llogaritur si të pamjaftueshme të arriturat e asaj kohe, ngase vërtetë ishin të tilla, sepse ato nuk ishin të arritura që i kishin ëndërruar, programuar dhe aspiruar rilindësit tanë, kishin filluar përpjekjet (të tilla kishte pasur edhe më herët) për organizime klandestine.
Pavarësisht kësaj fryme atdhetare që kishte zënë të mbizotëronte gjithandej Kosovës dhe viseve shqiptare në ish-Jugosllavi, nga libri e kuptojmë se me arratisjen e Jusuf Gërvallës, lëvizja kishte mbetur pa një fuqi motorike. Mungesa e tij, kishte shkaktuar një vakum dhe këtë vakum e plotëson pikërisht kontakti i Ismail Haradionajt me Jusufin që siç u vu në pah më lartë ishte arritur duke i shfrytëzuar lidhjet familjare.
Rivënia e lidhjes së Ismail Haradinajt me Jusuf Gërvallën, do të rezultojë me themelimin e Komitetit të Deçanit me anëtarët dhe pseudonimet e tyre: Ismail Haradinaj – Ora, Hasan Ukëhaxhaj – Drini, Avdullah Hasanmetaj – Shpati, Jashar Salihu – Shigjeta, dhe Shkurte Drita Kuçi – Guri[1]. Kjo ishte përbërja e këtij Komiteti në krye të herës së formimit të tij, i cili do të zgjerohet pastaj dhe me anëtarë tjerë që kishin treguar interesim, vullnet dhe gatishmëri për angazhim patriotik. Ajo që është e rëndësishme në këtë organizim dhe që duhet vlerësuar është fakti se, në përbërjen fillestare të këtij Komiteti është edhe një profesoreshë Drita Kuçi, gjë që dëshmon se atë botë, frymën atdhetare e kishte përqafuar edhe bota femërore.
Drita Kuçi, siç e thotë vetë në dëshminë e ofruar sipas kërkesës së autorit të librit, paraprakisht ishte bërë ,,anëtare e Lëvizjes Nacional Çlirimtare të Kosovës dhe Viseve Shqiptare në Jugosllavi.”[2].
Në shtator të po atij viti, në saje të angazhimit të kryetarit të Komitetit të Deçanit – Ismail Haradinajt do të formohet Komiteti i Drenasit me këtë përbërje: ,,Alush Thaqi – kryetar, pseudonimi – Bregu, Bajram Gashi – sekretar organizativ – Skyfteri, Ismet Sopi – arkëtar – Shpetimi dhe Çerkin e Nuhi Sopi – anëtarë – Flaka dhe Koci.” , për të vazhduar me të dhënën se ,,Halil Kuliqi dhe Naim Bujupi kanë qenë veprimtarë të Lëvizjes dhe kanë bashkëpunuar me ndonjërin nga anëtarët e Komitetit.”
Këtu dua të ndalem pak te çështja e emërtimit – Komiteti i Drenasit.
Për aq sa di unë, atëbotë, toponimi Drenas nuk ka qenë i praktikuar, jo vetëm në shkresat zyrtare të kohës, por as në ligjërimin e përditshëm popullor nuk është hasur qoftë dhe në formë sporadike siç ka ndodhur, p.sh. me Skenderajn. Toponimi Drenas ka filluar të hyjë në përdorim dhe të masivizohet te popullsia e gjerë, gjatë dekadës së fundit të shek.. të kaluar, pra nga viti 1990/91 e këtej. Prandaj, emërtimi ka qenë Komiteti i Gllogovcit, siç quhet zyrtarisht edhe sot, dhe gjykoj se autori ka qenë dashtë t’i qëndrojë besnik këtij emërtimi e jo t’i nënshtrohet emërtimit të sotëm, sado që ky emërtim është mjaftë i popullarizuar.
Megjithatë, pavarësisht nga mospajtimi, më këtë rast, unë do t’i qëndroj besnik emërtimit siç është në libër.
Por, le të kthehemi te përmbajtja e librit.
Fill pas Komitetit të Drenasit, do të bëhet formimi i Grupit të Mitrovicës, treshen e parë të të cilit do ta përbëjnë: Bislim Bajrami me pseudonimin ,,Besniku”, Jakup Rexhepi me pseudonimin ,,Guri” dhe Ismail Smakiqi me pseudenimin ,,Fisniku”.
Derisa për formimin e Komitetit të Drenasit meritor ishte Ismail Haradinaj, për formimin e Grupit të Mitrovicës ishte Avdullah Hasanmetaj.
Ndërkaq Xhavit Hoxha bashkë me Muhamet Rogovën, në janar të viti 1981, kishin filluar përgatitjet për formimin e Grupit të Llapit përmes Beqë Hajrizit. Por, siç e dimë të gjithç, në marsin e atij viti shpërthyen demonstratat e studentëve, të cilat u pasuan me arrestime masive, e ndër to edhe arrestimi i drejtuesve dhe anëtarëve të Komitetit të Deçanit dhe komiteteve tjera vendore, përfshi edhe atë të Grupit të Llapit. Ky fakt kishte pamundësuar konsolidimin e këtij Grupi në nivelin organizativ që kishin arritur komitetet e themeluara më herët.
Veprimtaria e këtyre komiteteve, përveç aspektit të organizimit të vet dhe shtrirjes së këtij organizimi ishte e përqendruar në sh[përndarjen e shtypit ilegal të kohës siç ishin ,,Lirai”, ,,Lajmëtari i lirisë”, dhe ,,Bashkimi”, pastaj në shpërndarjen e trakteve dhe të literaturës me përmbajtje të theksuar kombëtare, motivimi i nxënësve për të lexuar këtë literaturë, etj., etj..
Nga ajo që na shpaloset në këtë libër kuptojmë se rëndësia e formimit të Komitetit të Deçanit, qëndron në disa fakte.
E para, Komiteti i Deçanit është komiteti i parë i organizimit të LNÇKVShJ, në nivel të komiteteve vendore.
E dyta, është organizimi i parë sipas instruksioneve të Jusuf Gërvallës dhe do të jetë kundërgoditja e parë e atdhetarizmit shqiptar kundrejt robërisë serbe dhe integralizmit jugosllav të kohës, i cili, si për t’i rënë ndesh, asaj frymës atdhetare të kohës, kishte filluar të lëshonte rrënjë tek-tuk edhe në Kosovë,
Kur them kundërgoditja e parë, mendoj për kohën pas largimit të Jusuf Gërvallës nga Kosova dhe vendosjes së tij në Gjermani.
E treta, ky Komitet do t’ia dal që të shtrijë ndikimin e vet edhe në qendrat tjera.
E katërta, gjithnjë sipas autorit, për formimin dhe veprimtarinë e Komitetit të Deçanit, përveç Jusuf Gërvallës si figurë kryesore e LNÇKVShJ, ishte i informuar dhe shteti shqiptar, gjë që i jep këtij Komiteti një dimension më të madh kombëtar.
Meqë siç dëshmohet edhe nga të dhënat e librit, meritën kryesore për formimin e këtij Komiteti e kishte Ismail Haradinaj, si dhe duke marr për bazë aktivitetin dinamik të Komitetit të Deçanit sado brenda një kohe të shkurtër, mund të vijmë në përfundimin që Isamil Haradinaj, së bashku me Metush Krasniqin, për nga atdhedashuria, përkushtimi, sakrifica dhe koherenca e devotshmërisë patriotike e të gjithë atyre që kanë vuajtur përndjekjen dhe kanë mbijetuar, vijnë fill pas simbolit tonë të rezistencës Adem Demaçit.
Të nderuar të pranishëm,
Më lejoni që ta përmbyll këtë vështrim timin me konstatimin që libri ,,Komiteti i Deçanit” me të dhënat dhe dëshmitë që i sjell, paraqet një kontribut të çmuar për ndriçimin e aktivitetit të këtij Komiteti si segment i rëndësisë së veçantë i LNÇKVShJ. Jam i bindur se për shumicën e fakteve për zhvillimet e asaj kohe të cilat i gjejmë në këtë libër, opinioni ynë nuk e ka pasur informacionin e duhur. Këtë mangësi do ta përmbush deri në njëfarë mase ky libër. Për më tepër, jam i bindur se libri, në të ardhmen, do të paraqet një shteg të rëndësishëm për orientimin e studimeve për atdhetarizmin e asaj kohe si dhe do të jetë pjesë e rëndësishme e burimeve për vështrime e analiza historiko-shkencore për veprimtarinë ilegale, subjektin dhe periudhën kohore që mbulon përmbajtja e tij.
Ndërkaq, dy fjalë dua t’i them dhe për tipologjinë e librit, ngase ky nuk është libër që mund të klasifikohet brenda një lloji të caktuar.
Për të thënë se është libër me kujtime, nuk mund të thuhet se ka elemente që dalin jashtë diskursit të kësaj lloji; të thuash se është libër i vështrimit historik, pavarësisht mbizotërimit të kësaj gjinie, as kjo nuk është e mjaftueshme, sepse ka elemente të shumta që e nxjerrin prej kësaj fushe; të thuash se është vepër artistike, pavarësisht se ka pjesë që lexohen si krijimet të bukuar artistike (bile ka dhe një numër poezish të përfshira në të), as kjo nuk e shpreh dot të vërtetën e asaj se si është mbarështruar materia thelbësore e tij. Libër publicistik, deri diku.
Kronikë e një kohe, jo se jo, ngase të dhënat shpalosen jo mbi bazën e shënimeve të asaj kohe të vet autorit apo dikujt tjetër, por mbi bazën e kujtimeve të tij dhe disa akterëve të tjerë të asaj periudhe.
Ka elemente të shumta të autobiografisë që e bën të ngjashëm me ,,Autobiografinë” e Fan Nolit, por jo për ta trajtuar si lloj të tillë. Libër me vështrime dhe analiza historike, po. Por, vetëm pjesa e parë e tij.
Shikuar nga ky aspekt, mund të thuhet se për nga tematika dhe diskursi e konceptimi, libri ,,Komiteti i Deçanit” i Hasan Ukëhaxhajt është libër i tipit të veprës së Ismail Kadaresë ,,Ftesë në studio”.
Ky fakt, nuk ia ul aspak vlerën librit. Përkundrazi, siç e thash më parë, e bën atë një pikë reference shumë të rëndësishme për studimet e mëtejshme historike të komiteteve vendore të Lëvizjes Nacional Çlirimtare të Kosovës dhe Viseve Shqiptare në Jugosllavi dhe për lëvizjen ilegale në përgjithësi gjatë kohës së ish-Jugosllavisë federative.
[1] Hasan Ukëhaxhaj, Komiteti i Deçanit – LNÇKVShJ, Shoqata e të Burgosurve Politikë e Kosovës, Prishtinë, 2022, fq. 102.
[2] Po aty, fq. 131