“Dëshmia” e fotos së gërvishtur në Gjykatën Speciale, më la pa frymë
Shkruan: Milazim Krasniqi
“Dëshmia” e fotos së gërvishtur në Gjykatën Speciale, më la pa frymë. Vërtet të jetë e mundur që ajo Gjykatë të ketë atë standard të ulët të provave?! M’i kujtoi vitet 80, kur dënoheshin njerëzit pse shkruanin “KR” në dritaren e autobusit, ose edhe në borë! Ndërsa e vërteta është kjo: Jakup Krasniqi, deri sa ishte kryetar i Degës së LDK-së në Drenas, ka qenë bashkëpunëtor korrekt dhe lojal i Ibrahim Rugovës. Në këtë kontekst mbaj mend edhe këtë detaj: pas Kuvendit të shkurtit 1998, ku u përçamë, në mbledhjet e kryetarëve të Degëve, Jakupi dhe disa kryetarë të tjerë të degëve të LDK-së, dëgjonin fjalën hyrëse të Rugovës e kur e mbaronte ai ekspozenë e vinte radha të fliste Nekibja si sekretare dhe unë si shef i informimit, ata dilnin nga mbledhja. Pra, as në rrethanat e asaj përçarjeje që më vonë rezultoi me largimin e tyre nga LDK-ja, Jakup Krasniqi Rugovën nuk e ka konstestuar kurrë. Ndërsa në Rambuje Jakup Krasniqi është pranuar si kandidat për kryeministër të një qeverie të përbashkët nga vetë Rugova. Po të kishte asi averzioni ndaj kryetarit Rugova, Jakup Krasniqi nuk do ta pranonte prej Rugovës atë kandidaturë, pasi Jakupi ka qenë gjithmonë njeri me integritet të lartë. Gjatë kohës së bombardimeve, më 1 maj 1999, e kemi takuar Jakup Krasniqin në Tiranë (në banesën e Meriman Brahes) një delegacion i LDK-së, me synimin që të gjenim hapësira afrimi e bashhkëpunimi ndërmjet LDK-së e UÇK-së në ato rrethana. Jakup Krasniqi ka qenë shumë konstruktiv edhe në atë takim. Asnjë fjalë të keqe nuk e ka thënë për Rugovën as në atë takim. Madje as për Bukoshin. Konkludimi im definitivisht është se me këso provash të shpifura, po tentohet të ndryshohet e vërteta për lëvizjen tonë për pavarësi.