Dëshmia e një kohe në kapërcyell kohësh

15 shtator 2023 | 09:12

Adem Xheladini


(për romanin “Lufta” të Leonora N. Lokajt)

Në shtratin e letrave shqipe tashmë në ujëra të sigurta të krijimtarisë letrare është duke lundruar edhe një emër i spikatur dhe një penë e talentuar. Pas disa përmbledhjeve poetike, Leonora Lokaj këtë herë vjen me rrëfim letrar, me një temë jo fort të zakonshme.

Lindur dhe rritur rrëzë Bjeshkëve të Nemuna, autorja frymëzimin e gjen jo vetëm te gërsheta e rezistencës dhe papërkulshmërisë së njeriut të kësaj treve, por edhe te brishtësia, çiltërsia apo, pse jo, edhe te bukuria e larushia e personazheve që gërshetojnë nënqiellin e këtyre hapë­sirave.

Me hap prej kanjushe, autorja merr hovin t’i ndjekë pararendësit e saj të kësaj treve, duke mbetur besnike e bartjes së vlerave estetike të trevës së Dukagjinit, ku liria e penës së poliedrit Jusuf Gërvalla na shfaqet më e spikatura, ndaj nuk ka se si motivet të mos na shfaqen të përafërta, sepse edhe përjetimet janë të njëjta, ku motivet në kërkim të lirisë s’kanë munguar për asnjë kohë.

E rritur në një mjedis, ku rezistenca dhe dëshira për shtigjet e lirisë ka bërë që tematika e rrëfimit në roma­nin “Lufta” të shtjellohet që nga fillet e jetës, ku pikë bazë e rrëfimit janë protestat studentore të dy dekadave të fundit të viteve të mileniumit që lamë pas, pastaj mobilizimi i të rinjve për të rezistuar dhe flakur thundrën e rëndë të pushtuesve të deridjeshëm, e deri te pasojat e papara të kësaj dhune të egër e pa fre.

Subjekti i rrëfimit bartet përmes dy personazheve kyçe: Drinit, një djalë shembullor, i cili u vra në luftë dhe Erës, një vajzë e bukur, e cila, e dhunuar në luftë, rikthehet nga mërgimi në Kosovën e pasluftës, të cilët, përmes dashurisë së tyre, bartin misionin e një jete dhe rezistence të njeriut të këtyre hapësirave e të këtij kapërcyelli të mileniumeve.

Gërsheta e antipodeve të kohës krijon emocione të rënie-ngritjeve, herë-herë duke u ngjitur në kulmin e lav­disë, herë-herë duke u përplasur mureve të zhgënjimit të plotë, por dëshira dhe vullneti për të jetuar dhe sfidat për ta ndërtuar jetën me djalin e saj, pas divorcit nga burri, janë mesazhe të forta përballë një bote përplot para­gjykues dhe një digë e fuqishme për ta sfiduar të djeshmen e hidhur e për t’i vënë asaj emër, ndërkohë që përpjekjet për t’ia dalë dhe për ta mposhtur atë, pra botën e para­gjykimit dhe injorancës, janë ngjeshur me plot emocion.

Ndonëse personazhet janë fiktivë, imagjinata krijuese e autores i sjellë ata që në vorbullën e ngjarjes të duken kaq të vërtetë, kaq të afërt me ne, sa në raste të caktuara na duket se jemi ne vetë ata, por që, për fatin e keq, frika nga paragjykimet, edhe më tutje na bën që të shprehemi me gjysmë zëri, edhe pse realiteti është i hidhur.

Të ndodhur nëpër antipodin e paragjykimeve, Drini dhe Era jetojnë dy botë: njëri në botën e përjetshme të lavdisë, tjetri ende në luftën për t’i mposhtur pasojat e fatkeqësisë, duke u përpjekur (në raste të caktuara edhe si zë vetmitar), për t’ia dalë në luftën e paskrupullt në botën ku viktima vazhdon të paragjykohet për fatin e hidhur.

Romani “Lufta” i Leonora Lokaj vjen si retrospektivë, po aq si mision për ta përqafuar jetën dhe, po aq, si vizion për shtegun për tek e ardhmja, ku udha e arsyes është më e duhura.

Gërshetimi i situatave nëpër sekuencat e rrëfimit bëhet në mënyrë tejet origjinale. Lexuesi i kohës sonë (i ndo­dhur edhe në pozitën e dëshmitarit), domosdo se do të vërtetojë të thënat e rrëfimit si dëshmi, të cilat do të barten te lexuesi i gjeneratës pasuese si një vulë e një sakrifice sublime për një kohë jo fort të largët, që ngjau nëpër rrugëtimin drejt lirisë dhe mposhtjes së plagëve nga kjo rrugë e mundimshme.

Origjinaliteti rrëfyes dhe elokuenca letrare na bën të besojmë se autorja vjen për lexuesin me një temë jo fort të prekur, e cila, ndonëse është trajtuar edhe nga të tjerë, nuk ka ardhur e plotë. Ndaj “Lufta” vjen si dëshmi për ta vulosur një kohë, ndërsa autorja për të mbetur një emër meritor në spektrin e asaj kohe.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
ASGJË S’MË BËN PËRSHTYPJE   Përshtypje do të më bënte…