Dëshmia kontroverse në Hagë e ish-oficerit të KFOR-it: ‘Fushata e bombardimeve të NATO-s nuk ishte për paqe’, ‘Ndërhyrje në sovranitetin e Serbisë’
Një ish-oficer i forcave amerikane në KFOR, Steve Russell, po dëshmon sot në procesin gjyqësor kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Russell ka shërbyer kryesisht në zonën e Gjilanit dhe ka folur për disa pretendime për qendra ndalimi atje në vitin 1999. Por, mbrojtja ka sfiduar qëndrimet e tij për UÇK-në dhe NATO-n, pasi në dëshminë e tij me shkrim para Prokurorisë kishte dhënë deklarata të çuditshme për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë.
Mbrojtja e Hashim Thaçit e ka pyetur për qëndrimet e tij se ai e ka parë ndërhyrjen e NATO-s si jo me qëllime paqësore dhe për më tepër rolin e Amerikës në luftën e Kosovës dhe ndërhyrjen ushtarake e shihte si marrje të anës.
“Ne po shkonim aty për të zbatuar Rezolutën 1244 që ishte rezultat i ndërhyrjes në sovranitetin e Serbisë në emër të vuajtjes së shkaktuar në provincën e Kosovës dhe mendova që në këtë kontekst në po ndërhynim në sovranitetin e Serbisë për të zbutur vuajtjen e njerëzve në provincën e Kosovës, kështu do ta shpjegoja unë”, ka thënë Russel kur është pyetur për qëndrimin e tij se pozicioni i Amerikës në atë kohë ishte i anshëm.
Ai është pyetur po ashtu për deklaratën e dhënë para prokurorisë, ku kishte thënë se fushata ajrore e NATO-s nuk kishte qëllim paqeruajtës, por më shumë të impononte një rezultat.
“Nuk e di nëse është në procesverbal, por mendoj që është e vështirë për forcat ajrore të arrijnë në një përfundim apo të sjellin rezultat pa praninë në terren dhe mendoj që ka shumë histori për tu mbështetur në këtë që po them”, është përgjigjur ai.
Mbrojtja ka thënë se pyetja kishte të bënte më shumë me rezultatin e jo më efikasitetin, por Russel ka thënë se e kuptonte këtë më shumë nga aspekti ushtarak për të zgjidhur një çështje.
Pasi e ka sfiduar me këto qëndrime kontraverse, mbrojtja ia ka lëshuar dëshmitarit fjalimin e ish-presidentit amerikan Bill Clinton kur kishin nisur bombardimet e NATO-s mbi Serbinë dhe qëllimin e tyre për të mbrojtur popullatën civile.
“A është kjo që tha presidenti Clinton në përputhje me njohuritë që kishit ju për arsyet që NATO ndërhyri?”, e ka pyetur avokatja dëshmitarin.
Në këtë rast, ai sikur ndryshoi qëndrimet e tij të dikurshme, duke shtuar për fjalimin e Clinton: “Besoj që kjo ka qenë ajo që e mendonim të gjithë ne”.