Dëshmitarët kundër Millosheviqit rrëfejnë momentet kur u ballafaquan me të në Hagë
Në fillim të viteve 2000, shumë shqiptarë i dolën përballë ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviq, teksa ai po gjykohej në Hagë për krime lufte. Ndër ta ishte edhe i mbijetuari i masakrës së Izbicës, Milazim Thaçi dhe avokati nga Mitrovica, Mahmut Halimi. Të dy këta për Tëvë1, kanë treguar për tensionet, momentet, madje edhe meraket që iu mbeten gjatë përballjes me ish-kasapin e Ballkanit.
Odën e ka të mbushur me plisa.
E një të tillë nuk e largon nga koka as vet, Milazim Thaçi.
Madje plisin, i mbijetuari i Masakrës së Izbicës, nuk e hoqi as kur doli përball ish-presidentin serb, Sllobodan Millosheviq.
Kundër këtij të fundit, Thaçi ishte një nga dëshmitarët në Tribunalin e Hagës.
Për Tëvë1, Milazim Thaçi, ka kujtuar momentet para se të hynte në gjykatore.
“Dul një gjykatës, tha cili jeni Thaçi, i thashë unë, tha a bohet me të pyet diçka, thashë po more po, tha a po don me hi me kapuc të bardhë, a po don pa kapuq, i thashë po du me hi me kapuq të bardhë e me kallëzu prej kahit jom edhe Slloba e ka mërzi”, thotë Thaçi.
Por, si ishin çastet e para të ballafaqimit me atë që njihej si Kasapi i Ballkanit.
“Ai hini knej, unë anej, vec u kqyrshim, nja 2 minuta aparatat pa u nal hiç, edhe vallahin si me kanë i pitë ish kanë, se me tha Wesley Clark, ta kom shtri përtokë. Unë para gjyqit sjom kanë kurrë, as këtu as atje, pak kisha stres, po thosha nashta e dënojnë”, deklaroi ai.
Por, nga krejt kjo dëshmi për Masakrën e Izbices, thotë se i mbeti një merak.
“Me qef dola aty, po me ka mbet marak që nuk e kam gjujtë me një bardak, edhe nëse me kishin vra shkijet, gajle se kisha pas.”, bën të ditur ai.
E në prillin e vitit 2002, përball Millosheviqit doli edhe Mahmut Halimi.
Ky thotë se profesioni i avokatit, ia lehtësoi edhe dhënien e dëshmisë.
“Kemi qenë në një situatë konfrontimi shumë të ashpër. I permendte disa ish-klientë të mi të asaj kohe, përpiqej në një mënyrë ta diskreditoj deklaratën time, se ata janë kriminel, më kujtohet shumë mirë një përgjigje kur ja kam dhënë se për të gjitha këto është dashtë ta pyes birin e tij, Markon, se në një hotel në Fushë Kosovë, janë bërë disa kontraktime për shitblerjen e derivateve dhe mallrave të ndryshme, dhe se klientët e mi e kanë mashtruar birin tënd. Jashtzakonisht ashpër ka reagu, dridhej si thupra në ujë”, theksoi Halimi.
Por, si u ndjen dëshmitarët e këtij procesi, kur dëgjuan që Sllobodan Millosheviq, ndërroi jetë pa iu shqiptuar dënimi i merituar.
“Edhe pse ka mbet ai rast pa u përmbyll me aktgjykim të formës së prerë, megjithatë janë prezantuar forma që do t’i takojnë historisë t’i prezantoj në një të ardhme të afërme”, u shpreh ai.
“Ai është, 90% është gjallë, a e din kush u kanë ai e me varros me 100 vetë në Serbi, po ai sanaku gjallë u kanë”, thotë Thaçi.
Sllobodan Millosheviq ndërroi jetë në qelinë e tij të burgut në Hagë, me 10 gusht të vitit 2006. / Teve1.info