Dëshmitari Bytyçi: Dje prokurori me shqetësoi me disa informacione të paverifikuara që kanë dal në medie
Gazetari Nuhi Bytyçi edhe ditën e sotme është duke vazhduar me dhënien e dëshmisë në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Ai ka thënë se dje prokurori Matt Halling e ka shqetësuar me disa informacione të paverifikuara që kanë dal në media.
Madje, ai ka thënë se në mediat e Kosovës është shtrembëruar dëshmia e tij gjatë ditës së djeshme në sallën e gjyqit. Megjithatë, dëshmitari i 71-të ka thënë se duhet të bëhet kujdes që të akuzuarit të mos ndëshkohen në bazë të informacioneve të pa verifikuara.
“Unë kam pushuar pak sepse dje prokurori Halling me shqetësoi me disa informacione të paverifikuara nëpër mediat e ndryshme për të cilat unë nuk kisha njohuri deri me dje. Prandaj, iu lus që të fokusoni punën time si gazetar, në ngjarjet që kam ndjekur unë dhe në informacionet e konfirmuar nga unë. Dje, për shembull në mediet në Kosovë doli nga dëshmia ime, nga një pjesë e dëshmisë sime doli se janë vrarë dhjetë mijë civilë serbë. Unë kam deklaruar që janë vrarë mbi dhjetë mijë civilë shqiptarë. Gabimet e tilla mund t’i bëjnë edhe gazetarët edhe mediat. Prandaj, të keni kujdes që njerëzit që janë të akuzuar të mos ndëshkohen në bazë të disa shkrimeve apo informacioneve të paverifikuara”, ka thënë dëshmitari.
Pas kësaj, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, ka thënë se shpesh ndodhë që dalin në shtyp gjëra që nuk janë thënë.
“Dëshmitar, ju lutem përpiquni të përgjigjeni pyetjet që ua bën prokurori. Në qoftë se ka ndonjë problem me pyetjet vendos trupi gjykues nëse do të bëhet pyetja. Ne gjithashtu nuk e kontrollojmë se çfarë boton shtypi. Shpesh ndodhë që dalin në shtyp gjëra që nuk i kemi thënë as ne. Kështu që ju lutem, me aq sa të mundeni përpiquni që t’i përgjigjeni pyetjes që zgjedh të bëjë prokurori”, ka thënë Smith III për të vazhduar më pas pyetjet prokurori.
Ndryshe, ditën e djeshme dëshmitarit iu prezantuan disa tituj të mediave ndërkombëtare në të cilët flitej për një incident në Bardhin e Madh në të cilën shkruhej se anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kishin marrë në kontroll një minierë të thëngjillit në fshatin Bardh i Madh dhe se kishin marrë peng nëntë minatorë serbë.
Për këtë pati kundërshtime mbrojtja e të akuzuarve duke thënë se ky incident nuk është përmendur fare në aktakuzë dhe se Prokuroria po përpiqet t’i përfshijë të akuzuarit në një incident të tillë.
Nuhi Bytyçi ka thënë se një dokument i tillë nuk i është prezantuar më herët nga prokurori Matt Halling.
Pas kësaj, dëshmitari ka thënë se ky është një provokim i papranueshëm për atë në mënyrë që prokurori ta vë në lajthitje para trupit gjykues.