Dëshmitari Fondaj kërkon avokat, thotë se ndihet i keqpërdorur gjatë marrjes në pyetje nga gjyqtari në Hagë
Dëshmitari, Kurtesh Fondaj, gjatë dëshmisë së tij në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ka kërkuar që t’i angazhohet një avokat pas pyetjeve me të cilat u përball nga gjyqtari zviceran në Hagë, Guenawl Mettraux.
Ish-ushtaraku në Zonën e Pashtrikut ka thënë që ndihet se është keqpërdorur gjatë marrjes në pyetje nga gjyqtari, prandaj kërkon ndihmë ligjore nga një avokat.
“Unë dje pasdite i kam pa në incizimet që janë prezantu nga Gjykata dhe i kam përcjellë me vëmendje dhe sidomos marrja në pyetje nga gjyqtari, më ka ba me mendu që me kërku një avokat, respektivisht një mbështetje nga një avokat, sepse po mendoj se jam keqpërdorë”, ka thënë Fondaj të martën. Gjyqtari e ka pyetur nëse është përpjekur që ta kontaktojë një avokat, por dëshmitari ka deklaruar se kërkon nga Gjykata që t’ia angazhojnë një avokat. Pas kësaj kërkese, Mettraux ka bërë me dije se iu duhet një pauzë e shkurtër që ta diskutojnë kërkesën. Fondaj është dëshmitari i 73-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Ai ka folur për mënyrën se si ka funksionuar Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Gjatë dëshmisë së Fondajt, ka pasur kritika në drejtim të panelit të gjyqtarëve, duke i kundërshtuar ata për formën e pyetjeve që po u bëhen dëshmitarëve.
Thuhet se pyetjet e gjyqtarëve duken sikur t’i kishte bërë Prokuroria dhe se ato janë sugjestive.