Dëshmitari Gashi: UÇK-ja s’ka pasur të bëjë asnjëherë me civilë
09 janar 2024
| 13:41
Dëshmitari Safet Gashi, i cili po dëshmon në gjykimin ndaj Pjetër Shalës në Hagë, tha se nuk e di që UÇK-ja ka arrestuar apo ndaluar dikë.
Ai ka thënë se sa i kujtohet, UÇK-ja nuk ka pasur të bëjë asnjëherë me civilë.
“Sa më kujtohet mua, kurrë nuk ka të bëjë me civilë Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK). Sa e di, kurrë me civilë nuk ka pas të bëjë”, ka thënë Gashi.
Ish-pjesëtari i UÇK-së, ka thënë se ata janë marrë vetëm me ushtarë serbë me uniformë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“S’kemi pas të bëjmë me civilë kurrgjë, pos me ushtarë serbë në uniformë. Civilë as serbë nuk kemi arrestuar, le më civilë shqiptarë”, ka thënë Gashi.
Pas kësaj, me kërkesën e mbrojtjes së Pjetër Shalës, seanca ka kaluar në sesion privat për publikun.