Dëshmitari i 12-të i Speciales nis dëshminë ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Në Gjykatën Speciale ka filluar seanca e radhës ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të akuzuar për krime lufte.
Në këtë seancë të mbyllur për publikun po dëshmon dëshmitari i 12-të i Prokurorisë.
“Dëshmia e dëshmitarit W04337 ka rifilluar mëngjesin e sotëm, Mbrojtja e Rexhep Selimit aktualisht është duke marrë në pyetje dëshmitarin”, thuhet në njoftimin e ZPS-së.
Më 6 korrik, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar listën e 12 dëshmitarëve të tjerë që do të thirren në çështjen gjyqësore ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Lajmin e pati bërë të ditur shefja për Informim dhe Komunikim me Publikun në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), Angela Griep përmes informimit javor për media në platformën “zoom”.
“Më 28 qershor Prokuroria dorëzoi listën e 12 dëshmitarëve të tjerë që do të thirren në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerë”, tha Griep.
Ndryshe, gjatë muajit prill ka filluar gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, derisa në seancën e 3 prillit, ZPS dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse.
Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me vrasje, tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi në periudhën 1998–1999.