Dëshmitari i katërt në gjyqin ndaj Thaçit dhe të tjerëve po dëgjohet në seancë të mbyllur
Në seancë të mbyllur po dëgjohet dëshmitari i katërt në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Para se të fillojë dëgjimi i dëshmitarit të mbrojtur para trupit gjykues, prokurori i specializuar ka kërkuar që seanca të vijojë në sesion privat. Në sallën e gjyqit, sot (e mërkurë) janë të pranishëm Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Mbrojtja e ish-presidentit Thaçi, Gregory Kehoe ka thënë se do të prezantojë një mocion në seancë private.
Para fillimit të dëshmisë, kryegjykatësi, Charles L. Smith ka bërë të ditur përmes urdhrit me gojë, kërkesën e mbrojtjes së Rexhep Selimit, ku tha se nuk ka bazë ligjore që të heq nga procesverbali pjesë për të cilat nuk pajtohet mbrojtja.
“Gjatë dëshmisë së dëshmitarit 2652, mbrojtja e zotëri Selimit paraqiti një kundërshtim për dëshminë ku kinse lidhet zotëri Selimi me një incident të caktuar. Dhe kjo është në faqen 3230 të transkriptimit zyrtar. Baza për kundërshtimin e mbrojtjes është se dëshmia e propozuar nga ky dëshmitar për këtë incident apostafat është përjashtuar me urdhër gojor të trupit gjykues me 17 prill 2023. Në fund të seancës 19 prill 2023, mbrojtja e zotëri Selimi kërkoi të përjashtoheshin disa pjesë të procesverbalit në faqen 3230 dhe ky është transkriptimi zyrtar dhe këtë e bëri para se të paraqiste kundërshtimin. Trupi gjykues e shqyrtoi kërkesën dhe nuk mendon se ka bazë ligjore të parashikuar në ligje apo rregullore që t’i jap të drejtë trupi gjykues të heq nga procesverbali, pjesë të caktuara për të cilat nuk pajtohet mbrojtja”, ka thënë Smith.
Smith ka theksuar se trupi gjykues ka rrëzuar kërkesën e mbrojtjes së Selimit.
“Dëshmia është dhënë, do të gjykohet në mënyrë të përshtatshme nëse është e nevojshme dhe në përputhje me vendimin e datës 17 prill nga trupi gjykues. Prandaj, kërkesa e zotëri Selimi rrëzohet”, ka shtuar Smith.
Në seancën e sotme, Smith bëri të ditur se nuk do të ketë seanca në javën e parë të tetorit. Por, do të do të ketë seanca një javë më parë, me 25, 26 dhe 27 shtator.
Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.
Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.
Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagës prej nëntorit të vitit 2020. /kp