Dëshmitari i tetë dëshmon pa masa mbrojtëse në gjykimin kundër Pjetër Shalës
16 qershor 2023
| 13:00
Dëshmitari i tetë në gjykimin kundër ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Pjetër Shala, po dëshmon pa masa mbrojtëse dhe ai është Zbynek Dolejsi, ekspert për identifikimin e ADN-së.
Në gjykatoren e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Dolejsi ka deklaruar se aktualisht është shef i Departamentit Gjenetik në Institutin Kriminalistik të Pragës, në Republikën Çeke.
Sipas tij, në këtë institut shërben prej vitit 2004.
Në pjesën e parë të seancës, ZPS-ja e ka intervistuar atë rreth një raporti të vitit 2009 dhe më pas për një analizë të vitit 2023.
Ky është dëshmitari i parë në cilësinë e ekspertit dhe i cili po dëshmon pa masa mbrojtëse.
Pjetër Shala ndodhet në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021.