Dëshmitari i tetë përgjigjet nesër në pyetjet e avokatit të komandant “Calit”

22 nëntor 2021 | 17:29

Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka përfunduar të hënën dëgjimi i dëshmitarit të tetë në gjykimin ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa. Me përjashtim të disa minutave, seanca ka vijuar e mbyllur për publikun derisa dëshmitari i mbrojtur u është përgjigjur pyetjeve të prokurorisë dhe të mbrojtëses së viktimave. Seanca do të vazhdojë nesër me pyetjet e avokatit mbrojtës të Mustafës.

Në fund të seancës trupi gjykues ka kërkuar nga palët që mos të përmendin emrat e dëshmitarëve apo që lidhen me informacione identifikuese.

Dëshmitari i mbrojtur i cili mban kodin “W04391” do të përgjigjet nesër (e martë) në pyetjet e avokatit mbrojtës të Salih Mustafës.

Në gjykimin ndaj Mustafës deri tani kanë përfunduar dëshminë e tyre shtatë dëshmitarë, të gjithë të mbrojtur, identiteti i të cilëve nuk është bërë me dije për publikun.

Gjykimi ndaj Mustafës ka filluar më 15 shtator 2021. Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020, ndërsa ai ishte arrestuar më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte. Mustafa, i njohur si “Cali”, është duke qëndruar në qendrën e paraburgimit në Hagë, ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues është deklaruar i pafajshëm.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në një intervistë për gazetën kroate, Vecernji List, kryeministri i…