Dëshmitari Koqinaj: Gjatë luftës s’kam dëgjuar për ndonjë person me nofkën ‘Ujku’

03 tetor 2023 | 13:44

Dëshmitari i tretë i mbrojtjes në gjykimin ndaj Pjetër Shalës, Naser Koqinaj, ka thënë se gjatë luftës nuk ka dëgjuar për ndonjë person me nofkën “Ujku”.

Këtë deklaratë, dëshmitari e ka bërë pas pyetjes së avokatit të palës mbrojtëse, Jean-Louis Gilissen lidhur me atë se a ka njohur ndonjë person me këtë nofkë gjatë kohës së luftës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I pyetur se gjatë qëndrimit të tij në Fabrikën e Metalit në Kukës a ka dëgjuar për ndonjë person me emrin Pjetër Shala, (dëshmitari nuk është dëgjuar).

Ndryshe, në sesionin e paradites dëshmitari Koqinaj i është përgjigjur pyetjeve të palës mbrojtëse, të cilën e ka përfaqësuar avokati Jean-Louis Gilissen.

Ai nga avokati Gilissen është pyetur për periudhën nga fillimi i kyçjes në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) e deri në përfundim të luftës.

Me këtë rast, dëshmitari Koqinaj ka thënë se në UÇK është kyçur në vitin 1998 dhe ka vazhduar angazhimin e tij në magazinën numër dy në Kukës, si person i caktuar për shpërndarjen e uniformave të UÇK-së deri në përfundim të luftës, ku bashkë me ushtarët gjermanë të KFOR-it është kthyer në Kosovë, respektivisht në Prizren.

Ndërsa për angazhimet në magazinën e lartcekur, dëshmitari ka thënë se ai vetë e ka hapur dhe mbyllur këtë magazinë, aty nuk ka fjetur askush në të sepse sipas tij në magazinë ka pasur vetëm uniforma.

Ai ka thënë se person përgjegjës i magazinës ka qenë Rexhep Kelmendi.

 

Po ashtu, dëshmitari është pyetur se a kishte njohuri kush ishin Zijadin Hoxha, Bedri Dervishaj dhe për doktori Ilir Rakaj. Ndërsa përgjigjet e dëshmitarit në disa pyetje të avokatit të palës mbrojtëse nuk janë dëgjuar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një spikere e krijuar nga inteligjenca artificiale ka startuar edicionin…