Dëshmitari kundër krerëve të UÇK-së në Hagë, ishte pjesëtar i Ushtrisë së Serbisë në kohën e luftës

09 nëntor 2023 | 14:03

Dragan Ivanisheviq ishte dëshmitari i 34-të kundër krerëve të UÇK-së në Hagë. Ky pretendon të jetë rrëmbyer bashkë me një tjetër serb në shkurt të vitit 1999, por që sipas tij, ia doli të arratiset. Por, Ivanisheviq që nga marsi ishte bashkuar me Ushtrinë e Serbisë në kohën e luftës.

Më 9 shkurt të vitit 1999, Dragan Ivanisheviq, pretendon të jetë rrëmbyer nga disa pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Bashkë me të ishte edhe serbi tjetër, Velko Markoviq. Ky i fundit që edhe sot figuron si i zhdukur.

Megjithatë, gjatë marrjes në pyetje nga avokatët, dëshmitari e ka konfirmuar se ka qenë ushtar i Serbisë në kohën e luftës në Kosovë.

Ai ka thënë se në kohën kur ka filluar lufta ka qenë i mobilizuar në ushtri si dhe ka shërbyer në njësitin “Mbrojtja territoriale”, në Vushtrri.

“Në ‘99 u mobilizova, u mobilizova sigurisht kur filloi lufta. Që prej 25 marsit të vitit (1999) deri më 14 qershor 1999. Ishte njësiti i Mbrojtjes territorialenë Vushtrri”.

“Kam qenë në këtë zonë. Ndonjëherë shkonim të ofronim ndihmë në vendet e tjera. Unë isha gjatë gjithë kohës në Vushtrri, por isha edhe në fshatrat rreth e rrotull. Kam qenë në fshatin tim. Kam qenë edhe në disa vende, në vende që na dërgonin për ndihmë”, ka thënë dëshmitari Dragan Ivanisheviq, raporton “Nacionale”.

Çuditërisht, ai ka deklaruar se nuk është në dijeni të masakrave në Vushtrri që janë kryer nga Ushtria e Serbisë. Krejt kjo në kuadër të pyetjeve që ia ka bërë avokati i Thaçit, Luka Misetiq.

“Jo. Është hera e parë që e dëgjoj këtë. Është hera e parë që dëgjoj për këta 1 mijë persona”.

“Jo. Kam dëgjuar që janë vrarë civil dhe datën nuk e di dhe nuk e di sa persona. Kam dëgjuar që ka ndodhur vrasje individuale”, ka thënë dëshmitari.

Dëshmitari serb ka treguar për momentet kur kishte arritur të arratiset nga vetura në të cilën pretendon se ka qenë i rrëmbyer.

“Kërceva nga bagazhi, rashë në këmbë dhe fillova të largohesha larg makinës. I dëgjova të thoshin ndalo, hapën dyert, mund të isha rreth 30 metra larg. Qëlluan njëherë me armë, unë rrëshqita dhe rashë dhe u ngrita vrapova. Dëgjoja hapa e kuptoja që dikush po me ndiqte dhe kur me pa serish, serish qëlloi me armë unë serish rashë… vendosa t’i bija rreth e rrotull venit”, ka thënë dëshmitari Ivanisheviq.

Nga Fushë Kosova, dëshmitari ka thënë se duke ikur kishte arritur në Vushtrri.

Në seancën e sotme është lexuar një përmbledhje për historinë e dëshmitarit.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Spektakël i hendbollit premtohet të jetë ndeshja në mes të…